Rama bën shaka me Macron për gafën e Trump: Nuk na urove për paqen Shqipëri-Azerbajxhan

Pak para nisjes së Samitit të 7-të të Komunitetit Politik Europian në Kopenhagen këtë të enjte, një video e shpërndarë në rrjetet sociale ka tërhequr vëmendjen.
Në pamjet që po qarkullojnë, shihet kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke i drejtuar një batutë presidentit francez, Emmanuel Macron, ku rikujton disa nga gafat e presidentit amerikan, Donald Trump.
Bëhet fjalë për rastet kur Trump ka ngatërruar Armeninë me Shqipërinë, duke thënë se kishte “shuar konfliktin me Azerbajxhanin”, edhe pse Shqipëria nuk ka pasur asnjëherë konflikt me këtë vend.
“Ti duhet të kërkosh falje, këtu, ne të dyve, sepse nuk na urove për marrëveshjen e paqes që Presidenti Trump bëri mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit,” dëgjohet të thotë Rama në video.