Rexhepi: Është e obligueshme për shqiptarët të bëhen bashkë në momentin kur ju nëpërkëmbet dinjiteti!

Një individ i cili dëshiron të jetë në shërbim të interesave të qytetarëve. Kështu e ka definuar veten, Zejd Rexhepi, kandidat i AKI-së për Qytetin e Shkupit në emisionin “Debat në Shenja”.
Zejdi tha se gjatë karrierës së tij ka ditur të ngrejë zërin dhe të bëhet oponencë e qeverisë atëherë kur ka vlerësuar se projektet nuk janë realizuar në vendbanimet shqiptare.
“Kam qenë kritikues i asaj qeverie, në atë qeveri ka qenë BDI pa dyshim, dhe sot përsëri për çdo fjalë time që kam thënë gjatë tërë kohës i qëndroj mbrapa. Sepse nëse e kam dhënë një vërejtje për një projekt që nuk është realizuar dhe ajo nuk është realizuar nuk mund ta ndryshoj qëndrimin tim”, u shpreh Zejd Rexhepi.
Por, shtoi ai, kur është puna për çështje madhore dhe ku nuk guxohet të lejohet të nëpërkëmbet dinjiteti i shqiptarëve, atëherë është e obligueshme që shqiptarët të bëhen bashkë.
“Në momentin kur ti, mu dhe gjithë të tjerëve na cenohet gjuha shqipe, Marrëveshja e Ohrit, përfaqësimi i drejtë dhe etnik e drejta e administratorëve për të qenë në pozitat e duhura ashtu sic kanë qenë 22 vitet e fundit, atëherë detyrimisht do të duhet të lidhemi rreth një strumbullari kombëtar me të cilin në do i rikthejmë ose i mbrojmë”, deklaroi Rexhepi.