Rama: Duke krijuar një ministre të IA-së, Shqipëria po përpiqet të bëjë pjesën e saj për ta projektuar të ardhmen

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se duke krijuar një ministre të Inteligjencës Artificiale, Shqipëria nuk po përqafon thjesht të ardhmen, por sipas tij po përpiqet të bëjë pjesën e saj për ta projektuar atë, transmeton Anadolu.
Në Tiranë po mbahet Kongresi Ndërkombëtar i Nanoteknologjisë, ku në ceremoninë e hapjes i pranishëm ishte edhe kryeministri Rama dhe zyrtarë të tjerë.
Në fjalën e tij Rama theksoi rëndësinë e Inteligjencës Artificiale dhe nanoteknologjisë si shtylla të zhvillimit të qëndrueshëm dhe transparencës në qeverisje.
“Duke krijuar një ministre të Inteligjencës Artificiale, ministrja e parë në botë e Inteligjencës Artificiale, Shqipëria nuk po përqafon thjesht të ardhmen, por po përpiqet të bëjë pjesën e saj për ta projektuar atë. Diella nuk është një lodër. S’mund të jetë më ndryshe sesa kaq. Përmes saj ne kemi shndërruar atë çfarë ka qenë domeni i së mjegulltës në një algoritëm transparent për të shndërruar pushtetin e shtetit, në pushtetin e shërbyesit”, tha Rama.
Ai u shpreh se janë të bindur që herët më shumë se sa vonë do të jenë në gjendje që të ofrojnë përmes Diellës, një instrument të jashtëzakonshëm për t’i bërë tenderat publikë, të hapur e transparent e me integritet.
“Siç e thashë, Shqipëria është një vend që guxon dhe shfrytëzimi i Inteligjencës Artificiale është një shtyllë themelore e qeverisjes, jo thjesht një instrument, është pra përparësi e jona kyçe dhe vizioni ynë kombëtar për Shqipërinë e 2030 në Bashkimin Evropian, besoj është shumë i qartë, shumë qartësisht i rrënjosur në integritet, novacion dhe udhëheqje shkencore”, tha ndër të tjera Rama.
Rama theksoi se do të kanalizojnë më shumë burime, reforma institucionale, kapital njerëzor për të ndihmuar në ndërtimin e një ekosistemi të nanoteknologjisë, që sipas tij e ka spirancën në Tiranë, “por që rrezaton apo më mirë është e zgjeruar jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë”.
Kujtojmë se për herë të parë pjesë e kabinetit qeveritar të Shqipërisë është edhe një ministre virtuale e krijuar nga Inteligjenca Artificiale, Diella, që sipas autoriteteve shqiptare do të merret me çështjet e prokurimeve publike.
Konferenca synon të evidentojë arritjet më të rëndësishme në nivel botëror në nanoshkencë dhe nanoteknologji, si dhe të krijojë mundësinë e zhvillimit të politikave dhe krijimit të kontakteve, lidhjeve e bashkëpunimeve të rëndësishme për zhvillime të tjera në këtë fushë.