Milatoviq në OKB: Mali i Zi i shqetësuar për përkeqësimin e situatës humanitare të popullit palestinez në Gaza

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, ka deklaruar se vendi i tij është thellësisht i shqetësuar për vuajtjet humanitare të popullit palestinez në Gaza dhe ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe një fund të krizës me një zgjidhje me dy shtete, transmeton Anadolu.
Në fjalimin e tij në seancën e 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Milatoviq uroi ish-ministren gjermane të Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, për zgjedhjen e saj si presidente e Asamblesë së Përgjithshme.
“Këtë vit, teksa shënojmë 80-vjetorin e themelimit të OKB-së, ne shohim prapa në udhëtimin e jashtëzakonshëm të këtij institucioni, i cili u krijua si një mision për të arritur paqen globale. I lindur nga hiri i Luftës së Dytë Botërore, OKB-ja doli si një dritë shprese për njerëzimin”, tha Milatoviq.
Duke kujtuar shkatërrimin e qyteteve anembanë botës gjatë Luftës së Dytë Botërore, Milatoviq tha se lindja e OKB-së tregoi se solidariteti mund të kapërcejë dëshpërimin.
“Megjithatë, edhe pse pas tetë dekadash duhet të pranojmë një të vërtetë serioze, mungesa e luftës botërore nuk nënkuptonte nuk nënkuptonte gjithmonë praninë e paqes dhe prosperitetit të vërtetë. Sot, multilateralizmi përballet me sfida të papara më parë. bota jonë përballet me konflikte shkatërruese, pabarazi të thella ekonomike dhe përhapje shkatërruese të dezinformimit”, tha ai.
Ai tha se bota nuk duhet të lejojë margjinalizimin e OKB-së, as heshtjen e të drejtës ndërkombëtare.
“Pavarësisht pa-përsosmërive të saj, OKB-ja mbetet i vetmi institucion global në të cilin çdo komb ka vendin e vet dhe në të cilin e drejta ndërkombëtare mbetet themeli i legjitimitetit. Kjo është ajo që e bën OKB-në të pazëvendësueshme”, shtoi ai.
Ai theksoi se Mali i Zi gjatë dy dekadave të fundit është zhvilluar në një demokraci moderne që nga rifitimi i pavarësisë.
“Anëtarësimi në NATO është themeli i sigurisë sonë, ndërsa përparësia jonë strategjike është anëtarësimi i plotë në BE deri në vitin 2028. Ky është një qëllim ambicioz, por plotësisht i arritshëm”, tha ai.
Duke theksuar rëndësinë e forcimit të multilateralizmit në botë, Milatoviq tha se ka shumë sfida në ruajtjen e paqes, shembulli më i fundit i të cilave është lufta në Ukrainë.
“Mali i Zi mirëpret përpjekjet e fundit diplomatike të komunitetit ndërkombëtar, të udhëhequra nga SHBA-ja, për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë. Ne shpresojmë sinqerisht për suksesin e këtyre përpjekjeve”, tha ai.
“Në të njëjtën kohë, Mali i Zi shpreh shqetësim të thellë për përkeqësimin e situatës humanitare të popullit palestinez në Gaza”, tha ai.
Ai po ashtu bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.
“Ne mbështesim vazhdimisht zgjidhjen paqësore të konfliktit izraelito-palestinez në bazë të një zgjidhjeje me dy shtete, në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar dhe rezolutat përkatëse të OKB-së. Mali i Zi mbështeti Deklaratën e New Yorkut mbi zgjidhjen paqësore të çështjes palestineze dhe zbatimin e zgjidhjes me dy shtete”, tha Milatoviq.
Ai tha se detyra e përbashkët e komunitetit ndërkombëtar është të reformojë OKB-në dhe ta përgatisë atë për sfidat dhe mundësitë e së ardhmes.
“Në zemër të të gjitha këtyre përpjekjeve duhet të mbeten tre shtyllat e OKB-së, paqja dhe siguria, zhvillimi i qëndrueshëm dhe të drejtat e njeriut, si themeli i të gjitha aktiviteteve të OKB-së”, shtoi ai.