Konsumoi cigare në një restorant në SHBA, Koçiu konfirmon largimin nga detyra të zv.ministrit Mahila

Konsumoi cigare në një restorant në SHBA, Koçiu konfirmon largimin nga detyra të zv.ministrit Mahila

Ministrja e Punëve të Brendshme e Shqipërisë, Albana Koçiu, ka konfirmuar largimin nga detyra të zëvendësministrit të kësaj ministrie, Andi Mahila, për shkak të konsumimit të duhanit nga ky i fundit në një restorant, transmeton Anadolu.

Në lidhje me rastin, ministrja Koçiu reagoi në rrjetet sociale, ku theksoi se ajo ka marrë një denoncim nga një bashkatdhetar në New York, i cili sipas saj bashkë me familjen kishte përjetuar shqetësim për faktin se zv.ministri i Brendshëm tymoste cigare në restorant.

“Bëra verifikimin përkatës dhe i komunikova zv.ministrit largimin nga detyra. Çdokush mund të gabojë padashje dhe mund të mirëkuptohet, por të pish cigare brenda në lokal nuk është një gabim padashje, po një shkelje e pajustifikueshme e ligjit. Aq më tepër për një drejtues të një institucioni si Ministria e Punëve të Brendshme”, ka konfirmuar Koçiu.

Ministrja Koçiu është shprehur se i siguron të gjithë qytetarët që do të denoncojnë shkelje të cilitdoqoftë se do të dëgjohen me të njëjtin respekt.

Fillimisht largimi nga detyra i zëvendësministrit Mahila u raportua në disa media, dhe më pas u konfirmua nga autoritetet. Zyrtarisht shkarkimi përfundimtar i zv.ministrit Mahila do të bëhet nga Këshilli i Ministrave i Shqipërisë, pas propozimit të ministres Koçiu.

Andi Mahila është Zëvendësministër i Punëve të Brendshme që nga janari 2021.

MARKETING