Kongresisti amerikan propozon amendament për ta bërë anëtarësimin e Kosovës në NATO prioritet të SHBA-së

Kongresisti amerikan propozon amendament për ta bërë anëtarësimin e Kosovës në NATO prioritet të SHBA-së

Kongresisti republikan në SHBA, Brian Mast, ka paraqitur një amendament në Kongresin Amerikan që synon të vendosë anëtarësimin e Kosovës në NATO si një nga prioritetet kryesore të politikës amerikane në Ballkan, transmeton Anadolu.

Siç ka njoftuar organizata “Albanians for America”, ky hap pretendohet të bëhet një nga ndryshimet më të rëndësishme për rajonin që nga viti 2002. Amendamenti është mbështetur po ashtu edhe nga kongresisti Keith Self.

Amendamenti përfshin disa pika kyçe, përfshirë prioritet në emërimin e ambasadorëve amerikanë në vendet e Ballkanit, përfshirë Malin e Zi, Kosovën dhe Bosnjë e Hercegovinën, si dhe rekomandime konkrete për mbështetjen e pavarësisë së Kosovës dhe integrimin e saj të ardhshëm në NATO.

Ai gjithashtu përfshin një plan për përmirësimin e sigurisë energjetike në rajon, përfshirë zgjerimin e rrjetit të tubacioneve të Kroacisë dhe zëvendësimin e energjisë ruse me burime të tjera, si dhe mbështetje për implementimin e programit të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) në Kosovë për të rritur sigurinë, zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin rajonal.

Kongresisti Mast gjithashtu ka propozuar që Shqipëria dhe Kosova të inkurajohen që të zhvillojnë bazat e tyre të industrisë së mbrojtjes dhe të rrisin shpenzimet kombëtare për mbrojtje në përputhje me objektivat e NATO-s, duke konfirmuar rëndësinë strategjike të pranisë së forcave amerikane në Kosovë si një shtyllë sigurie dhe stabiliteti për Ballkanin Perëndimor.

Po ashtu parashikohet vazhdimi i implementimit të programit të Kontrollit të Eksporteve dhe Sigurisë Kufitare, duke përfshirë pajisjet e inspektimit jo-intruzive në pikën kufitare të Merdarit me Serbinë për parandalimin e trafikut të armëve të paligjshme.

Organizata “Albanians for America” ka përshëndetur këtë nismë, duke e quajtur hap historik dhe duke theksuar se amendamenti njeh rëndësinë strategjike të Ballkanit dhe vendos politika të qarta për mbështetjen e Kosovës dhe stabilitetin rajonal.

Që një amendament të hyjë në fuqi apo të bëhet pjesë e ligjit ose udhëzimit zyrtar të politikës amerikane, ai duhet paraprakisht të shqyrtohet nga komisionet përkatëse dhe pastaj të votohet nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati.

MARKETING