Zelensky u bën thirrje vendeve evropiane të zhvillojnë mbrojtjen ajrore pas sulmit të fundit rus

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje vendeve evropiane të nisin krijimin e një “ombrelle mbrojtëse ajrore”, pasi Rusia bombardoi sërish qytetin ukrainas Zaporizhia, duke plagosur të paktën 13 persona, mes tyre dy fëmijë.
Në një postim në rrjetet sociale më 16 shtator, Zelensky tha se raketat ruse “goditën qëllimisht për të terrorizuar popullin tonë”, duke dëmtuar “shumë ndërtesa banimi”.
Ai shtoi se që nga fillimi i shtatorit, Moska ka lëshuar mbi 3,500 dronë dhe gati 190 raketa, si dhe mbi 2,500 bomba ajrore, kundër objektivave brenda Ukrainës dhe ka kryer “provokime ndaj partnerëve tanë”.
“Kjo është pikërisht ajo lloj terrori ajror kundër të cilit Ukraina kërkon mbrojtje të përbashkët – në mënyrë që askush të mos detyrohet të ngrejë me nxitim avionë luftarakë dhe të ndjejë presionin e Rusisë në kufijtë e tij”, shkroi Zelensky.
“Tani është koha të zbatojmë mbrojtjen e përbashkët të qiellit evropian me një sistem të shumëfishtë mbrojtjeje ajrore. Të gjitha teknologjitë për këtë ekzistojnë tashmë. Ajo që nevojitet janë investime dhe vendosmëri – veprime të forta dhe vendime nga të gjithë partnerët tanë”.
Çështja e neutralizimit të dronëve rusë, të cilët janë shtuar ndjeshëm gjatë më shumë se tre viteve të luftës, ka marrë vëmendje të re pasi mbi një duzinë dronësh rusë depërtuan javën e kaluar në Poloni, ndërsa një tjetër shkelje e hapësirës ajrore të NATO-s u regjistrua në Rumani.
Në fjalimin vjetor për “Gjendjen e Bashkimit”, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi nevojën për rritjen e mbrojtjes nga dronët, duke shpallur një hua prej 6 miliardë eurosh për t’u bashkuar në një “aleancë dronësh” me Ukrainën.
Ajo sugjeroi edhe një nismë të quajtur “Eastern Flank Watch”, që do të ofrojë “mbikëqyrje hapësinore në kohë reale” nga Baltiku deri në Detin e Zi.
Von der Leyen u zotua gjithashtu për ndërtimin e një “muri dronësh” – diçka që Komisioni i saj kishte refuzuar ta financonte më herët këtë vit, kur Estonia, Letonia dhe Lituania kërkuan fonde për një projekt të tillë.
Detajet për këtë nismë mbeten të paqarta: nuk ka shifra konkrete për buxhetin, as shtrirje gjeografike të saktë, përveç faktit që Komisioni Evropian pritet të paraqesë në tetor një plan të ri për projekte të përbashkëta mbrojtjeje.
“Në këto shtete kufitare duhet të krijojmë një ‘mur dronësh’ së bashku me Ukrainën dhe ta përfshijmë atë në këtë projekt”, tha më 15 shtator Komisioneri Evropian për Mbrojtjen dhe Hapësirën, Andrius Kubilius, për agjencinë ukrainase Ukrinform. /Rel