Trump: Izraeli nuk do ta sulmojë përsëri Katarin

Trump: Izraeli nuk do ta sulmojë përsëri Katarin

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se Izraeli nuk do ta sulmojë përsëri Katarin, raporton Anadolu.

Trump foli për sulmet ajrore të Izraelit ndaj Katarit, përderisa iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në Zyrën Ovale.

Duke komentuar se Katari është “një aleat shumë i mirë dhe se shumë njerëz nuk e dinë këtë”, Trump tha se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk do ta sulmojë më Katarin.

Sipas tij, Izraeli do të përdorë masa të tjera kundër Hamasit. “Netanyahu nuk do ta sulmojë Katarin, ndoshta do t’i sulmojë ata (Hamasin)”, u shpreh ai.

– Pretendohet se Netanyahu e ka informuar Trumpin

Duke cituar zyrtarë izraelitë që kërkuan të mos identifikoheshin, faqja e lajmeve Axios me bazë në SHBA raportoi se SHBA-ja u informua për sulmin në Katar “jo në minutën e fundit” siç pretendohej, por përkundrazi ishin informuar paraprakisht për të.

Sipas lajmit, zyrtarët izraelitë thanë se Netanyahu e telefonoi Trumpin në orën 8:00 të mëngjesit sipas kohës amerikane, se sulmi ndaj Katarit ndodhi në orën 8:51 të mëngjesit dhe se Trump nuk i tha “jo” sulmit.

– SHBA-ja tha se nuk ishte në dijeni të sulmit

Presidenti amerikan Trump iu përgjigj “Jo” një pyetjeje nëse ishte në dijeni të sulmit dhe e përshkroi Katarin si një “partner të rëndësishëm”.

Zyrtarët amerikanë pohuan se i panë raketat në ajër dhe i kërkuan Izraelit një shpjegim, dhe kështu u vunë në dijeni të sulmit.

Pretendohet se pasi SHBA-ja u informua për sulmin, përfaqësuesi special i Trumpit për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, ka dëshiruar të informonte Katarin, por ishte tepër vonë.

– Gjashtë persona u vranë në sulmin izraelit ndaj Katarit

Më 9 shtator, ushtria izraelite nisi sulm me avionë luftarakë ndaj ndërtesës ku ndodhej ekipi negociator i Hamasit në Doha.

Në sulmin, të cilit i mbijetoi udhëheqja e Hamasit, u vranë gjashtë persona, përfshirë djalin e Khalil al-Hayye, një anëtar i Byrosë Politike të Hamasit, katër anëtarë të Hamasit dhe një oficer policie nga Katari.

Kryeministri izraelit Netanyahu në një deklaratë më 10 shtator, kërcënoi Katarin me një sulm të ri, duke thënë: “Ose deportoni ata ose sillni para drejtësisë. Nëse nuk e bëni ju, ne do ta bëjmë”.

MARKETING