Kryeministri britanik thotë se do të dërgojnë avionë të forcave mbretërore në Poloni pas hyrjes së dronëve rusë

Kryeministri britanik thotë se do të dërgojnë avionë të forcave mbretërore në Poloni pas hyrjes së dronëve rusë

Britania do të vendosë avionë të Forcave Ajrore Mbretërore (RAF) në Poloni pas asaj që kryeministri Keir Starmer e quajti një shkelje “të paprecedentë” nga dronët rusë në vend, transmeton Anadolu.

Duke folur për “Channel 4 News” të hënën, Starmer tha se Mbretëria e Bashkuar do të ofrojë “mbrojtje të mëtejshme ajrore mbi Poloninë” pas incidentit të javës së kaluar në të cilin forcat e NATO-s rrëzuan disa dronë rusë.

“Kjo është gjëja e duhur për t’u bërë. Gjëja e gabuar për t’u bërë do të ishte të injorohej ky agresion i shtuar nga (Presidenti rus Vladimir) Putin, nga Rusia”, tha ai.

Avionët “Typhoon” nga “RAF Coningsby” në Lincolnshire do të bashkohen me misionin “Eastern Sentry” të NATO-s, duke fluturuar së bashku me avionë nga Danimarka, Franca dhe Gjermania. Një avion furnizimi me karburant ajër-ajër “Voyager” nga “RAF Brize Norton” do të mbështesë vendosjen.

“Është absolutisht e qartë se rusët po e rrisin agresionin dhe është shumë e rëndësishme që me aleatët tanë të NATO-s, t’i përgjigjemi në mënyrë të përshtatshme kësaj dhe kjo është ajo që po bëjmë sot”, përfundoi ai.

Ky veprim erdhi disa ditë pas asaj që Mbretëria e Bashkuar e përshkroi si “inkursion të pamatur dhe të rrezikshëm” nga dronë rusë në hapësirën ajrore sovrane të Polonisë dhe shkelje të mëtejshme të hapësirës ajrore rumune nga një dron rus gjatë fundjavës.

Rusia i ka mohuar të dyja inkursionet.

MARKETING