Presidenti turk takohet me Emirin e Katarit në Doha, riafirmon mbështetjen pas sulmit të Izraelit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, zhvilloi takim me Emirin e Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al-Thani, në Doha, ku mori pjesë në Samitin e Jashtëzakonshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) dhe Ligës Arabe, transmeton Anadolu.
Në takim u trajtuan marrëdhëniet dypalëshe midis Turqisë dhe Katarit, si dhe çështjet rajonale dhe globale, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga Drejtoria e Komunikimeve e Presidencës së Turqisë në llogarinë e saj zyrtare në plaftormën e kompanisë amerikane të medias sociale X.
Presidenti Erdoğan ka thënë se sulmi i Izraelit ndaj Katarit është i papranueshëm dhe se Ankaraja qëndron përkrah Katarit.
Ai ka theksuar se sulmi i Izraelit synon të minojë negociatat e paqes, se vazhdimi i negociatave në çdo rrethanë do të ishte i dobishëm dhe se Turqia do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e ndërmjetësimit.
Presidenti Erdoğan ka vënë në dukje gjithashtu se marrëdhëniet Turqi-Katar do të zhvillohen në të gjitha fushat, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes dhe sigurinë.
Gjatë takimit, presidenti turk ka përcjellë ngushëllimet e tij për ata që ranë dëshmorë në sulmin izraelit dhe u uroi shërim të shpejtë të plagosurve.
Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, dhe kreu i Organizatës Kombëtare Turke të Inteligjencës (MIT), Ibrahim Kalın, shoqëruan presidentin Erdoğan gjatë takimit.