Si një bisedë në WhatsApp çoi në shkatërrimin e një perandorie droge milionëshe në Britani

Si një bisedë në WhatsApp çoi në shkatërrimin e një perandorie droge milionëshe në Britani

Robert Andrews Jr, një 34-vjeçar nga Newport i Uellsit, u zbulua si kreu i një rrjeti të krimit të organizuar që shpërndante kokainë dhe heroinë në shkallë industriale, pavarësisht se për botën e jashtme dukej si një baba punëtor, që jetonte në një shtëpi modeste me familjen.

“Nuk kishte asgjë të dukshme tek ai, asgjë nuk thoshte se ky person është një trafikant droge”, tha një oficer i fshehtë që drejtoi mbikëqyrjen e Andrews Jr, sipas mediave britanike..

Andrews nuk ishte fare në radarin e policisë deri në momentin kur mesazhe të dërguara prej tij u zbuluan në telefonin e një tjetër bosi droge, Kerry Evans, i cili tashmë është dënuar me 14 vjet e 5 muaj burg.

Në mesazhe, Andrews Jr dhe Evans bënin shaka se “ose do të përfundonin milionerë ose do të ndanin një qeli”, ndërsa koordinonin marrëveshje droge me vlera gjashtëshifrore.

Hetuesit kuptuan se pas imazhit të një burri të zakonshëm, fshihej truri i një perandorie droge, me transaksione që kapnin shifra prej qindra mijëra funtesh.

Në operacionin e koduar “Mayland”, policia e ndoqi Andrews Jr në një zonë të izoluar pyjore pranë autostradës M4, ku ndodhnin shkëmbime të rregullta droge. “Ishte një zonë shumë e dendur… do të shkoje atje vetëm nëse e dije”, tha një oficere e fshehtë.
Në një rast, një taksist i quajtur Mohammed Yamin u ndalua me 2 kg kokainë të pastërtisë së lartë, me vlerë prej 200,000 funte, pas një takimi me Andrews. Ai u dënua me 6 vjet e gjysmë burg.

Një nga metodat për të siguruar që pagesat shkonin në vendin e duhur ishte përdorimi i kartëmonedhave me numra serialë unikë si “shenja” për identifikim të sigurimeve.

Kur policia bastisi shtëpinë e Andrews Jr, ai tentoi të fshihte telefonin e tij celular duke e hedhur mbi një gardërobë – por pa sukses. Telefoni përmbante të gjitha regjistrat e porosive, detyrimeve dhe pagesave, duke e vendosur atë në qendër të hetimit.

Oficeri i fshehtë që mori pjesë në arrestim tha se “ai qeshi dhe dukej mjaft i pashqetësuar” teksa po i vendoseshin prangat.

Policia e cilësoi Robert Andrews Jr si anëtarin kryesor të një grupi të strukturuar kriminal, që kishte krijuar një rrjet trafiku droge me vlerë miliona në të gjithë Uellsin jugor.

MARKETING