James Rubin thotë se do të jetë dëshmitar në mbrojtjen e Thaçit

James Rubin, i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë ka qenë ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, tha se javën e ardhshme do të dëshmojë para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Më 15 shtator, mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të nisë mbrojtjen e saj.
“Do të jem në Evropë sepse javën e ardhshme do të jap dëshmi në Tribunalin special për krime lufte në Kosovë dhe si dikush që i ndihmoi [ish-kryediplomates së ndjerë amerikane] Madeleine Albrightit në themelimin e Tribunalit fillestar për krime lufte. Kjo nënkupton se do të kthehem përsëri në fillim dhe kam më shumë për të thënë për këtë javën e ardhshme”, tha Rubin për Christiane Amanpour, transmeton REL..
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti i Kosovës, Rexhep Selimi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata mohojnë akuzat.
Më 15 shtator ekipi mbrojtës i Thaçit do të nisë paraqitjen e provave dhe thirrjen e dëshmitarëve. Pasi të ketë përfunduar ekipi i Thaçit, rastin do ta paraqesë edhe ekipi i Krasniqit.
Më 16 korrik 2025, ekipet mbrojtëse të Veselit dhe Selimit njoftuan se nuk synojnë të paraqesin ndonjë dëshmi mbrojtëse.
Mbrojtja e Thaçit ka paralajmëruar se në mesin e dëshmitarëve që do të thërrasë ka edhe figura nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania.
Mbrojtja e ish-presidentit Thaçi synon të thërras 11-12 dëshmitarë, duke synuar që ata të japin dëshmi në seanca të hapura. Ndërkaq, mbrojtja e Krasniqit ka thënë se dy dëshmitarë do të japin dëshminë në gjykatore, ndërkaq dy të tjerë do të japin dëshminë me shkrim dhe kjo dëshmi veçse u është dorëzuar prokurorëve.
Paneli i gjyqtarëve i Dhomave të Specializuara parasheh që deri më 14 nëntor ose një javë pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të fundit të përmbyllë rastin e mbrojtjes të Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit. Ky panel po ashtu pret që mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të jetë e përgatitur që të paraqesë shkresat përfundimtare të gjykimit para 22 dhjetorit të këtij viti./REL