Prokuroria Speciale e Kosovës mohon se ndonjë gazetar është nën hetim pas deklaratave të presidentes Osmani

Prokuroria Speciale e Kosovës mohon se ndonjë gazetar është nën hetim pas deklaratave të presidentes Osmani

Prokuroria Speciale e Kosovës ka mohuar se ndonjë gazetar është nën hetim, pas deklaratave të presidentes Vjosa Osmani, e cila akuzoi disa gazetarë për lidhje me Milan Radoiçiqin dhe përfshirje në aktivitete të paligjshme.

Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, i tha se nuk ekziston asnjë procedurë hetimore apo rast i hapur që përfshin gazetarë.

Ajo shtoi se Prokuroria Speciale po vazhdon punën në përputhje të plotë me ligjin, duke ruajtur pavarësinë, paanshmërinë dhe profesionalizmin.

“Ju njoftojmë se asnjë gazetar nuk është nën hetim nga Prokuroria Speciale dhe nuk ka asnjë rast të hapur që përfshin gazetarët”, deklaroi Luta.

Një ditë më parë, presidentja Osmani, duke iu referuar hetimeve të AKI-së, tha se cak i hetimeve nuk ishin gazetarët, por bashkëpunëtorët e Milan Radoiçiqit, i akuzuari kryesor për sulmin e armatosur në Banjskë.

“Është hetuar tjetër kush, janë hetuar Radoiçiqat. Kur hetohen Radoiçiqat, dalin bashkëpunëtorët e tyre”, tha Osmani, pa përmendur emra konkretë, duke shtuar se hetimet janë ende në proces.

MARKETING