Rama emëron një ministre të krijuar me inteligjencë artificiale

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shpallur sot emrat e rinj të kabinetit qeveritar, pas fitores në zgjedhjet parlamentare të majit, ku për herë të parë pjesë do te jetë edhe një ministre nga Inteligjenca Artificiale, raporton Anadolu.
Rama prezantoi kabinetin e ri qeveritar në mbledhjen e sotme të Asamblesë Kombëtare të partisë që ai drejton, Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Për herë të parë ministre nga Inteligjenca Artificiale
Në postin e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë është propozuar Belinda Balluku, post që e mban aktualisht.
Kryeparlamentarja Elisa Spiropali do të drejtojë Ministrinë e Punëve të Jashtme, ndërkohë ministre e Punëve të Brendshme për herë të parë është propozuar një grua, Albana Koçiu, e cila aktualisht mban postin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Petrit Malaj është rikonfirmuar në postin e ministrit të Financave, ndërsa ministrja aktuale e shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, është propozuar në postin e ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit.
Mirela Kumbaro që aktualisht është ministre e Turizmit dhe Mjedisit është propozuar në postin e ministres së Arsimit dhe Besfort Lamallari është propozuar në postin e ministrit të Drejtësisë.
Pirro Vengu është rikonfirmuar në postin e ministrit të Mbrojtjes dhe në postin e ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale është propozuar Evis Sala.
Ministri aktual i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, do të drejtojë Ministrinë e Kulturës, Turizmit dhe Sportit, ndërsa Sofjan Jaupaj Ministrinë e Mjedisit.
Kryetari aktual i Bashkisë së Cërrikut, Andis Salla, është propozuar për ministër të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ndërkohë Adea Pirdeni është rikonfirmuar në postin ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.
Ministër Shteti për Pushtetin Vendor është propozuar ish-kryetari i Bashkisë Berat, Ervin Demo dhe Toni Gogu është propozuar në postin e Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Majlinda Duka është rikonfirmuar në postin e ministres së Shtetit dhe Kryenegociatores me Bashkimin Evropian.
Për herë të parë në kabinetin qeveritar të Shqipërisë do të ketë një ministre virtuale, e krijuar nga Inteligjenca Artificiale, që do të quhet Diella, dhe që do të merret me çështjet e prokurimeve publike.
“Të mbyllim negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian në 27 muajt e ardhshëm”
Rama ka propozuar për postin e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, ish-ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi.
Gjatë fjalës në punimet e Asamblesë Kombëtare të PS-së, Rama tha se janë mbledhur për të çelur kapitullin e mandatit të katërt qeverisës, i cili sipas tij nis zyrtarisht pas pak ditësh me betimin e Kuvendit dhe me votëbesimin e qeverisë së re.
“Të mbyllim negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian në 27 muajt e ardhshëm, në fund të vitit 2027; të mundësojmë deri në fund të këtij mandati të ri ratifikimin në 27 parlamentet e vendeve anëtare të vendimit të Këshillit Evropian për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, tha Rama.
Kryeministri Rama, propozoi reduktimin në 101 të numrit të deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë, nga 140 që është aktualisht dhe riorganizim të komisioneve të përhershme parlamentare.
Gjithashtu Rama kërkoi vënien në lëvizje të mekanizmave ligjorë të shkarkimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim, duke theksuar se “Ogerta Manastirliu është njeriu që i duhet sot Tiranës”.
Më 11 maj 2025 në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet parlamentare për zgjedhjen e përbërjes së re të Kuvendit të Shqipërisë me 140 deputetë.
Partia Socialiste, partia në pushtet e drejtuar nga Kryeministri Rama fitoi zgjedhjet, duket siguruar mandatin e katërt qeverisës.
Mbledhja e parë e Legjislaturës së XI-të të Kuvendit të Shqipërisë, e dalë nga zgjedhjet e 11 majit 2025, zgjedhje që u fituan nga Partia Socialiste, do të mbahet më 12 shtator. Pas konstituimit të Kuvendit, do të miratohet edhe përbërja e re Qeverisë së Shqipërisë.