Niko Peleshi emërohet kryetar i ri i Kuvendit të Shqipërisë

Niko Peleshi emërohet kryetar i ri i Kuvendit të Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama ka propozuar Niko Peleshi si kryetarin e ri të Kuvendit të Shqipërisë, duke e cilësuar si njeriun e duhur për të marrë stafetën nga Elisa Spiropali, falë përvojës së tij të gjatë në institucione dhe prirjes ndaj risive teknologjike.
“Niko Peleshi, pas kaq vitesh eksperience dhe përkushtimi, është zgjedhja ideale për të udhëhequr Kuvendin,” u shpreh Rama gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste.

Në të njëjtën linjë, Klodiana Spahiu, deputetja e Durrësit, është emëruar nënkryetare e Kuvendit. Sipas Ramës, ajo “vjen me eksperiencë, përkushtim dhe integritet absolut.”

Gjithashtu, Taulant Balla është zgjedhur në krye të grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

Krahas ndryshimeve në drejtimin e Kuvendit, Rama prezantoi edhe strukturën e re të komisioneve parlamentare.

Në total janë 11 komisione të përhershme, nga të cilat 7 do të drejtohen nga shumica parlamentare dhe 4 nga opozita.

Komisionet që do të drejtohen nga shumica: Komisioni për ekonominë, punësimin dhe financat, Komisioni për çështjet ligjore dhe administratën publike, Komisioni për çështjet e brendshme dhe mbrojtjen, Komisioni për bujqësinë, ushqimin dhe zhvillimin rural, Komisioni për Europën dhe Politikën e Jashtme, Komisioni për nismat qytetare, bashkëpunimin dhe nismat institucionale dhe Komisioni për të drejtat e njeriut dhe mjetet e informimit publik.

Komisionet që do të drejtohen nga opozita: Komisioni për edukimin, shkencën dhe sportet, Komisioni për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale, Komisioni për burime natyrore, infrastrukturën dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe Komisioni për kulturën, turizmin dhe diasporën.

MARKETING