Dyshime për varrezë masive, të mërkurën nisin inspektimet afër Novi Pazarit

Dyshime për varrezë masive, të mërkurën nisin inspektimet afër Novi Pazarit

Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur ka njoftuar se të mërkurën do të zhvillohen inspektime në terren në fshatin Kozhle, afër Novi Pazarit, pas dyshimeve për ekzistencën e një varri masiv.

Në njoftim thuhet se ky hap vjen si rezultat i kërkesave të vazhdueshme në kuadër të takimeve mes delegacioneve dhe dialogut për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

“Ky rast ka qenë i planifikuar të trajtohej edhe vitin e kaluar, por pas disa ditësh përgatitje terreni, gërmimet ishin ndërprerë. Lokacioni në Kozhle është një nga lokacionet e adresuara në mënyrë të përsëritur gjatë takimeve zyrtare, krahas kërkesave të vazhdueshme për rikthim me prioritet në Batajnicë dhe lokacionet e tjera tashmë të shënjuara”, thuhet në njoftim.

Komisioni kërkon që gërmimet në terren të shoqërohen me të dhëna nga arkivat e institucioneve të Serbisë, të cilat do të ndihmonin në saktësimin e lokacionit dhe sigurimin e provave për zbardhjen e plotë të rastit.

Inspektimet pritet të ndiqen edhe nga përfaqësues të Delegacionit të Republikës së Kosovës, përkatësisht të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore.

“Dhimbja e familjeve që prej më shumë se dy dekadash presin një përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre është plagë e hapur e shoqërisë sonë. Çdo hap drejt zbardhjes së të vërtetës është hap drejt drejtësisë, drejt paqes së munguar dhe dinjitetit njerëzor”, thuhet më tej në komunikatë.

Kohë më parë, Kushtrim Gara, anëtar i këtij komisioni, pati ngritur shqetësime se zjarret që përfshinë rajonin gjatë verës mund të kishin dëmtuar varrin masiv në Kozhle. Sipas tij, mënyra se si pala serbe e menaxhoi situatën ishte “shumë shqetësuese”, pasi deklaratat e saj për mos-prekjen e lokacionit nga flakët përbënin një kundërthënie me mungesën e saktësimit të vendndodhjes së varrit.

MARKETING