Republika Sërpska zgjedh një qeveri jokushtetuese

Entiteti i Republikës Sërpska ka zgjedhur një qeveri jokushtetuese. Në Kuvendin Popullor të Republikës Sërpska, të mbajtur në Banjallukë, u zgjodh ekzekutivi i ri me kryeministër, Savon Miniçin.
Miniç, deri tani ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave, vjen nga radhët e Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur të Dodikut, shkruan REL.
Qeveria e re nuk ka bazë kushtetuese, pasi mandatin për Miniçin më 23 gusht ia dha Millorad Dodik, i cili pesë ditë më parë, me një vendim të formës së prerë të Gjykatës së Bosnje e Hercegovinës dhe më pas Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ia mori mandatin e presidentit të Republikës Sërpska.
Sipas Kushtetutës së entitetit serb të Bosnjës, presidenti i këtij entiteti propozon për Kuvendin Popullor kandidatin për kryeministër.
Pas vendimit të Gjykatës së Bosnjës, RS-ja mbetet pa president, sepse as ligjet dhe as Kushtetuta e shtetit dhe e entitetit nuk parashikojnë se kush merr këtë funksion në rast të boshllëkut.
RS-ja ka dy zëvendëspresidentë, por ata mund të marrin vetëm përkohësisht kompetencat nëse një gjë e tillë urdhërohet nga presidenti. Një rast i tillë kishte ndodhur në fund të vitit të kaluar, kur për shkak të një ndërhyrjeje kirurgjike që iu nënshtrua Dodiku, detyrat e presidentit i mori Davor Pranjiç.
Presidenti i ri pritet të zgjidhet në zgjedhjet e parakohshme, të shpallura për më 23 nëntor.
Dodik në paraqitjet publike refuzon vendimet e institucioneve kompetente në Bosnjës dhe pretendon se është ende president.