Haradinaj i reagon Abdixhikut: Vazhdo të vendnumërosh se kjo të shkon për shtati ty, Lumir

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar qëndrimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për bllokadë institucionale.
Ai tha se për dallim nga AAK, Lumir Abdixhiku dhe mbështetësit e tij janë “betonuar” në qëndrimin e bllokadës.
Ai kujtoi se AAK ka vepruar me përgjegjësi, duke dërguar kërkesën për interpretim në Gjykatën Kushtetuese dhe duke mbështetur modelin e daljes nga bllokada.
“Kjo ishte përgjegjësia jonë kryesore dhe e kemi përmbushur,” tha Haradinaj.
Më herët, Abdixhiku, tha se partia e tij nuk do të bëhet pjesë e një skenari që sipas tij përfaqëson degradimin e vlerave politike.
“Natyrisht se LDK-ja nuk shpërblen mediokritetin. Natyrisht se LDK-ja nuk ka votë promovuesi vulgar të urrejtjes, ndarjes e propagandës – në nivelet më të larta institucionale. Besojmë se përfaqësimi politik duhet të jetë fisnik; shembull për qytetarinë e Republikës më të re në Evropë”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai kujtoi se akademik Idriz Ajeti ka qenë kryetari i parë i Kuvendit të Kosovës, duke e krahasuar atë periudhë me situatën aktuale, ku sipas tij “73 deputetët e Kuvendit shpërfaqën më së miri rrënimin vleror që po i ndodh shoqërisë nga popullizmi”.
Kreu i LDK-së uroi që votuesit e partisë më të madhe në Kuvend të kuptojnë, siç tha ai, se ku ka përfunduar vullneti i tyre politik.
“Ne refuzojmë të përfaqësojmë këtë mendësi. Siç dhe refuzojmë të bëhemi pjesë e cirkut votues për nënkryetarët minoritarë. Kanë marrë drejtimin e Kuvendit drejt theqafjes jokushtetuese. Le t’i japin zgjidhje krizave që i shkaktojnë qëllimisht, përfshirë dhe precedaneve të rrezikshme bllokuese nga Serbia në të ardhmen. Ky s’është drejtimi ynë!”, tha ai.
Në fund, Abdixhiku u bëri thirrje qytetarëve për bashkim rreth LDK-së, duke e cilësuar atë si adresë të përfaqësimit me dinjitet dhe konstitucionalizëm.
“Sot, më shumë se kurrë, shtroj dorën e afrimit me secilin qytetar në vend që nuk ndihet i përfaqësuar me këtë politikë. Le të bashkohemi rreth ëndrrave normale në një Republikë normale!”, përfundoi Abdixhiku./Telegrafi/