Insta360 ka një kamerë të re aksioni Go Ultra

Kompania kineze, Insta360 ka prezantuar shtesën e re premium për linjën e saj të kamerave kompakte, kamerën aksion Insta360 GO Ultra. Ajo është shpallur si një linjë e re dhe më e fuqishme produktesh në seri GO, jo si një zëvendësim për modelin GO 3S.
Gjenerata e ardhshme përfaqëson një përparim të rëndësishëm në performancë, e fuqizuar nga një çip i ri AI me teknologji 5nm, që është një hap i madh përpara krahasuar me çipin 14nm të modelit GO 3S.
Forma e modelit Ultra është kryesisht e njëjtë me atë të modelit 3S; trupi kompakt i kamerës mund të vendoset në Action Pod, i cili ofron jetëgjatësi shtesë baterie dhe një ekran prekje 2.5 inç për shikim live. Modeli Ultra peshon 53 gramë, 14 gramë më shumë se modeli 3S, dhe ka një trup katror, ndryshe nga modeli 3S që duket si një pilulë.
Trupi pak më i madh do të thotë një autonomi prej 70 minutash me bateri, që është rreth 80 për qind më shumë se 38 minutat e modelit 3S. Action Pod zgjeron këtë kohë në 200 minuta. Ultra gjithashtu ofron memorje të zëvendësueshme, e cila mund të zgjerohet deri në 2TB.
Ashtu si shumica e kamerave Insta360, një pjesë e madhe e dizajnit është fokusuar te regjistrimet aksion për aventurierët. Certifikata IPX8 e modelit GO Ultra do të thotë se është i papërshkueshëm nga uji deri në 10 metra thellësi. Sistemi i kapëseve magnetike e bën të lehtë vendosjen e kamerës GO Ultra në një copë veshjeje ose pajisje për të kapur aventurat në rezolucion 4K.
Kamera Insta360 GO Ultra është në dispozicion në të gjithë botën me një çmim prej 450 dollarësh.