Viktima e parë nga zjarret në Shqipëri, humb jetën një 80-vjeçar në Gramsh

Viktima e parë nga zjarret në Shqipëri, humb jetën një 80-vjeçar në Gramsh

Policia e Elbasanit njoftoi sot se një 80-vjeçar ka humbur jetën nga vatrat e zjarrit në Gramsh, duke u bërë viktima e parë e kësaj vale zjarresh në vend.

Sipas njoftimit zyrtar, dyshohet se i moshuari ka ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij, në fshatin Kullollas. Flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe janë përhapur masivisht në disa fshatra të rrethit të Gramshit.

“Rreth orës 11:00, dyshohet se një shtetas rreth 80 vjeç, ka ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij, zjarr i cili ka dalë jashtë kontrolli dhe është përhapur masivisht. Dyshohet se si pasojë e asfiksimit, ky shtetas ka humbur jetën”, thuhet në deklaratën e policisë.

Në zonë kanë ndërhyrë menjëherë forcat e policisë, zjarrfikësit dhe shërbimet e emergjencave civile, të cilët po punojnë për shuarjen e zjarreve dhe evakuimin e banorëve të fshatrave të prekur.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për të përcaktuar shkakun e zjarrit dhe rrethanat e ngjarjes.

Për shkak të situatës që ka dalë jashtë kontrollit, ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka urdhëruar evakuimin e banorëve të tre fshatrave.

MARKETING