LVV: Gjykata Kushtetuese po shpik rregulla dhe po ndikon politikisht në krizën kushtetuese

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ashpër ndaj njoftimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar atë si një devijim të rrezikshëm nga roli i saj kushtetues dhe si ndërhyrje flagrante në kompetencat e Kuvendit.
Sipas njoftimit të LVV-së, Gjykata ka tejkaluar mandatin e saj duke “shpikur norma të reja juridike” dhe duke “uzurpuar funksione që i takojnë ekskluzivisht Kuvendit të Kosovës”.
VV ka shtuar se vendimi i Gjykatës ka përmasa politike dhe se cenon rëndë ndarjen e pushteteve.
“Kushtetutën e ndryshon vetëm Kuvendi ose referendumi, jo anëtarët e Gjykatës. Gjykata është kthyer në një organ jashtëkushtetues nëse vazhdon të prodhojë norma të reja.”
Në komunikatë kritikohet edhe përmendja e Kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, duke u cilësuar si “etiketim politik pa bazë juridike”, ndërsa vlerësohet se Gjykata po mban qëndrime të njëanshme në dëm të parimeve demokratike.
Lëvizja Vetëvendosje e përmbyll reagimin me paralajmërimin se po përballemi me një “pushtet juridik të pakontrolluar që sfidon vullnetin popullor dhe rendin kushtetues”.