Kryebashkiaku i Athinës përballë ambasadorit izraelit: Nuk kemi nevojë për leksione mbi demokracinë nga ata që vrasin civilë

“Nuk kemi nevojë për leksione mbi demokracinë nga ata që vrasin civilë”, u pergjigj të dielën kryetari i Bashkisë së Athinës përballë ambasadorit izraelit, i cili akuzoi autoritetet bashkiake për mosreagim ndaj “grafiteve antisemitike” në qytet.
Duke theksuar se Athina, si kryeqyteti i një vendi demokratik, i respekton plotësisht vizitorët e saj dhe mbështet të drejtën e qytetarëve për shprehje të lirë, Haris Doukas tha:
“Si autoritet bashkiak i qytetit, kemi treguar kundërshtimin tonë të qartë ndaj dhunës dhe racizmit dhe nuk pranojmë leksione për demokracinë nga ata që vrasin civilë dhe fëmijë në radhë për ushqim, nga ata që çojnë dhjetëra njerëz çdo ditë drejt vdekjes në Gaza, nga bombat, uria dhe etja.”
“Është tronditëse që z. Ambasador (Noam Katz) përqendrohet vetëm te grafitet, të cilat po fshihen, ndërkohë që në Gaza po ndodh një gjenocid i paprecedentë”, shtoi ai.
Në një intervistë për gazetën greke Kathimerini, Katz argumentoi se grafitet antisemitike i bëjnë vizitorët izraelitë të ndihen të pasigurt dhe akuzoi autoritetet e qytetit për mungesë veprimi.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha të dielën se numri i palestinezëve që kanë vdekur nga uria e shkaktuar nga bllokada izraelite ka arritur në 175, përfshirë 93 fëmijë, që nga fillimi i gjenocidit izraelit në tetor 2023.
Ushtria izraelite, duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ka zhvilluar një ofensivë brutale ndaj Gazës që nga 7 tetori 2023, duke vrarë më shumë se 60.800 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë.