Spanja lëshon nga ajri 12 tonë ndihma humanitare në Gaza

Spanja njoftoi të premten se ka hedhur nga ajri 12 tonë ndihma humanitare në Gaza, ku ekspertë të mbështetur nga OKB-ja paralajmërojnë se uria po merr përmasa katastrofike për shkak të bllokadës izraelite, transmeton Anadolu.
Ministri i Jashtëm spanjoll, Jose Manuel Albares, tha se gjatë misionit u përdorën 24 parashuta, secila me nga 500 kilogramë ushqim, duke siguruar furnizime për rreth 11.000 persona.
“Uria e shkaktuar që po përjeton populli i Gazës është një turp për mbarë njerëzimin”, tha Albares në një videomesazh të publikuar në platformën X, ku përfshihej edhe pamje nga hedhja e ndihmave. Ai shtoi se Spanja ka gjithashtu ndihma të gatshme për t’u futur në Gaza nga rruga tokësore përmes Egjiptit.
Albares i bëri thirrje Izraelit t’i “hapë të gjitha pikat tokësore të kalimit në mënyrë të përhershme, në mënyrë që ndihma humanitare të hyjë në shkallë masive”.
Ushtria izraelite së fundmi ka lejuar vende të huaja të kryejnë dërgesa ajrore në Gaza. Megjithatë, operacione të tilla kanë shkaktuar më parë viktima pasi pakot e ndihmave kanë rënë mbi civilë ose kanë përfunduar në det, duke detyruar banorët e dëshpëruar të rrezikojnë jetën për t’i marrë. Metoda është kritikuar si joefikase krahasuar me shpërndarjen tokësore.
Javën e kaluar, Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së (WFP) paralajmëroi se një e treta e popullsisë së Gazës ka kaluar ditë të tëra pa ushqim për shkak të rrethimit izraelit. Sipas WFP-së, një në katër palestinezë në Gaza tani përballet me kushte të ngjashme të urisë, ndërsa mbi 100.000 gra dhe fëmijë vuajnë nga kequshqyerja akute.
Izraeli ka vendosur një bllokadë në Gaza për 18 vjet dhe që nga 2 marsi ka mbyllur të gjitha kalimet, duke përkeqësuar kushtet humanitare në enklavë. Ushtria izraelite ka vrarë më shumë se 60.000 palestinezë në territorin palestinez që nga tetori i vitit 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.