Për 13 muaj deputetët në Maqedoni morën mbi 300 mijë euro për harxhimet e rrugës

Që nga fillimi i mandatit aktual parlamentar, 65 deputetë kanë marrë kompensim për shpenzimet e udhëtimit në total prej 18.6 milionë denarësh, ose rreth 303,320 euro.
Shuma më e lartë e paguar për një deputet arrin rreth 13,200 euro, që është mesatarisht 1,000 euro në muaj.
Sipas të dhënave të marra nga Radio Evropa e Lirë përmes Ligjit për qasje të lirë në informacionin publik, fondet e paguara kanë të bëjnë me periudhën nga 28 maji 2024 deri më 30 qershor 2025.
Nga shuma totale, 26,717 euro janë për taksat rrugore, ndërsa 276,603 euro për karburant.
Më shumë mjete u paguhen deputetëve që jetojnë më larg Shkupit. Në krye të listës është Kire Bozinovski nga VMRO-DPMNE nga Resnja, i cili mori rreth 13,200 euro. Ai pasohet nga kolegu i tij i partisë nga Prilepi, Petar Risteski, me rreth 12,000 euro.
Koordinatori i grupit parlamentar VLEN, Bekim Qoku nga Struga, mori rreth 10,800 euro, ndërsa deputeti i LSDM-së, Jovan Mitreski, gjithashtu nga Struga, rreth 10,000 euro.
Përveç kësaj, nëntë deputetë ushtruan të drejtën e tyre për të marrë me qira banesë në Shkup, për të cilin u paguan edhe 44,522 euro shtesë, ku qiraja më e lartë mujore arriti në 400 euro.