Taravari: Nëse nuk e mposhtim VLEN-in me dyfishin e votave, nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare

Kryetari i njërit krah të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, thotë se pritjet për zgjedhjet lokale janë që koalicioni i Frontit Europian të fitojë me një diferencë më të madhe se 2:1 ndaj VLEN.
“Në zgjedhjet e fundit, kur ishim pjesë e koalicionit VLEN, morëm 107 mijë vota, ndërsa BDI, ose më saktë Fronti Europian, mori 137 mijë. Në të gjitha anketat, ASH ishte gjysma e VLEN-it, dhe ky është një fakt i padiskutueshëm”, tha Taravari, duke shtuar se tani pritet që diferenca të thellohet ndjeshëm.
Sipas tij, nëse rezultati përfundimtar nuk e kalon raportin 2:1 në favor të koalicionit të përbërë nga Fronti Europian dhe partia e tij, atëherë nuk ka arsye për të ngritur çështjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
“Nëse është më pak se 2:1, ky nuk është rezultat. Nuk shoh më arsye për të shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare”, tha ai në “Kanal5”.
Taravari shprehu besim se rezultati do të jetë bindës në favor të koalicionit që ai përfaqëson.