Senatori i pavarur amerikan: Populli i Gazës vuan nga uria për shkak të Izraelit

Senatori i pavarur amerikan Bernie Sanders deklaroi se kufizimet e Izraelit për hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza kanë shkaktuar kequshqyerje masive në rajon dhe se dhjetëra fëmijë po vdesin nga uria.
Në një video të ndarë në llogarinë e tij në mediat sociale, Sanders bëri deklarata lidhur me krizën humanitare në Gaza.
Ai vuri në dukje se Izraeli nuk ka lejuar hyrjen e asnjë ndihme humanitare në Gaza për afërsisht 11 javë, duke ndaluar plotësisht rrjedhën e ushqimit, ujit dhe ilaçeve gjatë kësaj periudhe. Sanders tha se ndihma e kufizuar ka hyrë në Gaza si rezultat i presionit ndërkombëtar, por që kjo është e pamjaftueshme.
“Si pasojë e këtyre politikave çnjerëzore, populli i Gazës po përjeton kequshqyerje masive.
Dhjetëra fëmijë kanë vdekur nga uria”, tha Sanders. Ai theksoi se 60 mijë njerëz kanë humbur jetën dhe mbi 140 mijë të tjerë janë plagosur në Gaza që nga fillimi i sulmeve izraelite dhe se 60 për qind e këtyre viktimave janë gra, fëmijë dhe të moshuar.
Ai tha se mbi 90 për qind e banesave në Gaza janë bërë të pabanueshme, qindra shkolla janë bombarduar, sistemi i kujdesit shëndetësor është shembur pothuajse plotësisht dhe nuk ka energji elektrike në rajon.
Duke kujtuar se qeveria amerikane i ka dhënë dhjetëra miliarda dollarë ndihmë ushtarake Izraelit në vitet e fundit, Sanders tha: “Me fjalë të tjera, taksat dhe armët tona mbështesin këtë brutalitet. Populli amerikan nuk dëshiron që dollarët e taksave të tij të përdoren për të lënë fëmijët e uritur në Gaza”.
Sanders tha se do të “ushtrojë presion” në Senat për të ndaluar menjëherë shitjet e disa armëve për “qeverinë e ekstremit të djathtë dhe raciste të Benjamin Netanyahut” në Izrael.