Hamasi bën thirrje për rritje të veprimeve globale kundër gjenocidit dhe urisë në Gaza

Hamasi bëri thirrje për rritje të veprimeve globale gjatë tre ditëve të para të gushtit kundër politikës së Izraelit për gjenocid dhe uri në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim, Hamasi tha: “Ne bëjmë thirrje për rritje të veprimeve publike globale gjatë tre ditëve të para të gushtit dhe ditëve në vijim kundër sulmeve të vazhdueshme izraelite, gjenocidit dhe urisë në Rripin e Gazës”.
Duke rikujtuar thirrjen që “3 gushti të jetë ditë globale mbështetjeje për Gazën” e lëshuar (më 29 korrik) dy ditë para vdekjes së Ismail Haniyeh, ish-kreut të Byrosë politike të Hamasit, i cili u vra nga Izraeli në kryeqytetin e Iranit, Teheran, më 31 korrik 2024, deklarata bëri thirrje që “në kujtim të Haniyeh 3 gushti të jetë ditë globale mbështetjeje për Gazën, Kudsin, Xhaminë Al-Aksa dhe të burgosurit në Palestinë”.
Hamasi bëri thirrje për rritje të protestave para ambasadave izraelite dhe ambasadave të vendeve që mbështesin Izraelin në të gjithë botën dhe kërkoi që protestat të vazhdojnë derisa të marrin fund sulmet dhe uria e Izraelit që synojnë fëmijët, gratë, të sëmurët dhe civilët e pafajshëm.
– Gaza po “vdes nga uria”
Rripi i Gazës, nën sulmet izraelite dhe nën rrethim të rreptë që kufizon ndihmën humanitare, po përjeton katastrofë humanitare, me uri të përhapur dhe mungesë uji, ilaçesh, furnizimesh mjekësore dhe furnizimesh higjienike.
Vdekjet për shkak të urisë, veçanërisht të fëmijëve, janë në rritje në Rripin e Gazës. Që nga 7 tetori 2023, të paktën 147 persona përfshirë 88 fëmijë kanë vdekur për shkak të urisë që Izraeli imponon në Rripin e Gazës.
Qarqet lokale dhe ndërkombëtare theksojnë se Izraeli përdor “urinë dhe etjen si armë”. Mbi 60 mijë palestinezë janë vrarë dhe mbi 145 mijë të tjerë janë plagosur në sulmet që Izraeli ka ndërmarrë në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023.