Snapchat mund të njoftojë automatikisht miqtë se përdoruesi ka arritur në shtëpi ‘shëndoshë e mirë’

Aplikacioni Snapchat tani mund t’i njoftojë miqtë e përdoruesit nëse ai ka arritur i sigurt në shtëpi dhe kjo pa qenë nevoja që ai vetë të dërgojë ndonjë mesazh.
Snapchat ka prezantuar një funksion të ri të quajtur Home Safe, i cili dërgon njoftime kontakteve të përzgjedhura.
Për të aktivizuar këtë veçori, duhet të preket Bitmoji në Snap Map dhe më pas opsioni “My Home” për të vendosur vendndodhjen e shtëpisë. Pas kësaj, sa herë që përdoruesi dëshiron të njoftojë dikë që ka arritur në shtëpi, mjafton të hapë bisedën (chat), të prekë ikonën Map, dhe pastaj butonin Home Safe.
Snapchat prej kohësh ofron opsionin e ndarjes së vendndodhjes, dhe ndër vite ka përmirësuar veçoritë e sigurisë. Ndarja e vendndodhjes në kohë reale, që lejon përdoruesit të ndajnë vendndodhjen e tyre të saktë me miqtë, u prezantua në vitin 2022.
Vitin e kaluar, u shtuan funksione të reja të ndjekjes së vendndodhjes në Family Center, që u mundëson prindërve të marrin njoftime nëse fëmija e tyre largohet nga shtëpia ose shkolla.