Trump u diagnostikua me pamjaftueshmëri kronike venoze – sa serioze është gjendja e tij?

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili është 79 vjeç, vuan nga pamjaftueshmëria kronike venoze, njoftoi dje Shtëpia e Bardhë.
Është një gjendje në të cilën venat në këmbë nuk arrijnë ta kthejnë siç duhet gjakun në zemër, kështu që ai mbahet në gjymtyrët e poshtme, gjë që mund të shkaktojë ënjtje, dhimbje dhe ndryshime në lëkurë.
Fotografitë e Trumpit nga ditët e fundit treguan gjithashtu mavijosje në dorën e tij.
Shtëpia e Bardhë pretendon se kjo nuk lidhet me problemet venoze, por me pasojat e shtrëngimeve të shpeshta të duarve dhe përdorimit të aspirinës, të cilën ai e merr si pjesë të parandalimit të sëmundjeve të zemrës.
Mjeku i Shtëpisë së Bardhë, Sean Barbabella, tha në një shënim zyrtar se është një gjendje e zakonshme dhe e padëmshme, veçanërisht tek të moshuarit, përcjell Telegrafi.
“Nuk ka prova të trombozës së thellë të venave ose sëmundjes arteriale”, tha Barbabella, duke shtuar se presidenti “vazhdon të gëzojë shëndet të shkëlqyer”.
Ai gjithashtu vuri në dukje se struktura dhe funksioni i zemrës së tij janë plotësisht normale dhe se nuk ka shenja të dështimit të zemrës, problemeve me veshkat ose sëmundjeve sistemike.
Ndryshe, ekspertët shpjegojnë se pamjaftueshmëria kronike venoze shpesh ndodh tek njerëzit mbi moshën 70 vjeç sepse valvulat venoze dobësohen me moshën.
Përveç ënjtjes, gjendja mund të shkaktojë gjithashtu dhimbje, kruajtje, dhimbje barku, njolla në lëkurë, plagë në këmbë ose, në raste më të rënda, gjakderdhje.
Mund të çojë gjithashtu në ulje të lëvizshmërisë.
“Mund të shoqërohet me ndërlikime më serioze, por nuk është serioze në vetvete dhe është shumë e zakonshme”, tha Dr. Matthew Edwards, shef i kirurgjisë vaskulare në Universitetin Wake Forest.
Ai tha se midis 10 dhe 35% e njerëzve në grupmoshën e Trumpit kanë këtë çrregullim.
Faktorë të tjerë rreziku përfshijnë mbipeshën, një histori të mpiksjes së gjakut dhe punë që kërkojnë qëndrim të zgjatur në këmbë.
Gjendja zakonisht mbahet nën kontroll duke veshur çorape kompresive, duke ngritur këmbët natën dhe duke përdorur rregullisht kremra hidratues.
Profesori Ian Chetter, president i Shoqatës Britanike për Kirurgji Vaskulare, tha se gjendja “shumë, shumë rrallë mund të jetë kërcënuese për jetën”.
Trump gjithashtu iu nënshtrua kontrollit të tij të parë vjetor mjekësor në mandatin e tij të dytë në detyrë në prill.
Mjekët arritën në përfundimin se ai ishte në “gjendje të shkëlqyer shëndetësore” dhe se po merrte ilaçe për uljen e kolesterolit, aspirinë për të parandaluar sëmundjet e zemrës dhe pomadë mometazone për problemet e lëkurës.
Trump ka theksuar vazhdimisht publikisht se është në formë të shkëlqyer, duke deklaruar një herë: “Unë jam më i shëndetshëm se çdo president në histori”.