Shefja e diplomacisë së BE-së i kërkon Izraelit të përmirësojë situatën humanitare në Gaza

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas, ka kërkuar nga Izraeli të ndërmarra hapa konkret për të përmirësuar situatën e rëndë humanitare në Gaza, si dhe ka paralajmëruar se blloku evropian është i përgatitur të përgjigjet nëse Izraeli nuk i përmbush premtimet, transmeton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për media pas takimit të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel, Kallas tha se blloku evropian do të monitorojë nga afër zbatimin e premtimeve të dakorduara nga Izraeli, me përditësime të pajtueshmërisë çdo dy javë.
“Me kërkesë të Këshillit Evropian, unë gjithashtu u paraqita ministrave një listë të masave të ndryshme që mund të merren në lidhje me shqyrtimin e bërë në qershor. Pra, patëm një diskutim mbi këtë dhe këto janë zgjedhje që vendet anëtare duhet t’i bëjnë. Ne do t’i mbajmë këto opsione në tryezë dhe do të jemi të gatshëm të veprojmë nëse Izraeli nuk i përmbush premtimet e tij”, tha Kallas.
Sipas saj, “qëllimi nuk është të ndëshkohet Izraeli, por qëllimi është të përmirësohet vërtet situata në Gaza”.
Kallas gjithashtu dënoi fushatën e përshkallëzuar të bombardimeve të Rusisë në Ukrainë, duke e përshkruar atë si arritje e niveleve rekord.
“Dhe, ne shohim përdorim në rritje të armëve kimike të ndaluara nga Rusia në Ukrainë. E gjithë kjo tregon se Rusia nuk dëshiron paqe dhe në përgjigje BE-ja është gati të provojë një nga paketat e saj më të ashpra të sanksioneve kundër Rusisë”, tha ajo.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së shprehu zhgënjim se vendet anëtare të bllokut evropian nuk arritën një marrëveshje mbi paketën e fundit të sanksioneve të bllokut kundër Rusisë. Ajo theksoi se Komisioni Evropian ka përmbushur kushtet e kërkuara nga Sllovakia, e cila ende nuk ka dhënë miratimin e saj.
“Komisioni ka përmbushur atë që u kërkua. Tani topi është në fushën e Sllovakisë”, theksoi ajo.