Nata e qëndresës së Turqisë: Gratë turke që sfiduan grusht shtetin me gjak dhe vendosmëri

Nëntë vjet më parë, në natën e 15 korrikut 2016, Türkiye përjetoi një nga episodet më të përgjakshme dhe, njëkohësisht, më të qëndrueshme në historinë e saj moderne.
Një fraksion i ushtrisë, i lidhur me organizatën terroriste FETO (Fetullahçı Terör Örgütü), u përpoq të merrte pushtetin me forcë. Ushtarët puçistë sulmuan institucionet kryesore shtetërore nga ajri dhe toka, dhe qëlluan mbi civilë të paarmatosur që përballeshin me tanke dhe armë automatike.
Shumë qytetarë vërshuan në rrugë pasi Presidenti Recep Tayyip Erdoğan u bëri thirrje përmes një deklarate televizive drejtpërdrejt nga rruga për në aeroportin e Istanbulit, duke i ftuar të qëndronin përkrah tij kundër grusht shtetit.
Urdhërat e dalë në dritë më vonë ndërmjet puçistëve ishin të ftohta dhe të qarta: një komandant i grushtit të shtetit kishte dhënë urdhër të qëllohej pa mëshirë:
“Ka turmë rezistuese, qëlloni direkt, nuk ka falje për askënd. Asnjë.”
Gruaja që i tha një ushtari: “Unë të kam lindur ty, biri im,” nuk po përpiqej thjesht ta bindte, por po evokonte kodin e përbashkët të sakrificës mëmëdhetare dhe shërbimit ushtarak.
Përgjigjja e tij ishte: “Zoti do të na falë, mos u shqetëso.”
E përballur me rezistencë të vendosur nga civilët dhe policia, përpjekja për grusht shteti dështoi. Por jo para se të vriteshin 253 njerëz, përfshirë gra, fëmijë dhe oficerë policie, dhe qindra të tjerë të mbeteshin të plagosur.
Në Urën e Bosforit, tashmë e njohur si “Ura e Dëshmorëve të 15 Korrikut”, u vranë dy gra: Ayşe Aykaç (44 vjeçe) dhe Sevgi Yeşilyurt (51 vjeçe).
Aykaç, nënë e katër fëmijëve, doli nga shtëpia pas fjalimit në televizor të presidentit Erdoğan. Po ashtu edhe Yeşilyurt, nënë e dy fëmijëve. Të dyja u qëlluan për vdekje nga ushtarët puçistë në urë.
Më të rejat nga gratë dëshmore ishin oficeret e policisë Kübra Doğanay dhe Cennet Yiğit, të dyja 23 vjeçe, shoqe klase dhe kolege, të cilat u vranë gjatë rezistencës.
TRT World foli me disa nga gratë që mbijetuan atë natë, si dhe me të afërmit e grave dëshmore, të cilët mishërojnë po ashtu shpirtin e rezistencës.
“Nëse qëndrojmë, atdheu është i yni”
Imazhi më i fuqishëm i rezistencës nga ajo natë mund të jetë ai i Adviyye Gül İsmailoğlu nga Fatih, Istanbul. Ajo ishte vetëm 14 vjeç në kohën e puçit.
“Ne kishim vetëm flamurin tonë në dorë dhe brohoritjet ‘ushtarët nëpër kazermë’ në gojë,” thotë ajo për TRT World.
“Mendova se nuk do të bënin diçka të keqe dhe se nuk do qëllonin drejt njerëzve që u qëndronin përballë.”
Por në realitet ndodhi ndryshe nga shpresa e saj.
“Rreth 150 qytetarë ishin aty. Pamë tradhtarë me uniformë që formonin barrikada dhe nuk lejonin njerëzit të kalonin drejt bashkisë,” tregon ajo, duke shtuar:
“Filluan të qëllonin direkt mbi qytetarët për t’i vrarë.”
Plumbi që i përshkoi shpinën, duke lënë një vrimë rreth 15 centimetra, i shpëtoi shtyllës kurrizore por i dëmtoi mushkëritë. Kaloi një javë në koma.
Ajo, megjithatë, nuk ishte pa ndjenja në momentin kur u plagos.
“Ajo natë u bë një pikë kthese për mua, ashtu siç ishte për Türkiyen,” thotë ajo. Ajo e mbylli rrëfimin me një citat nga Sulltan Yavuz Selim Han:
“Nëse vdesim, parajsa është e jona; nëse qëndrojmë, atdheu është i yni.”
“Humba shtyllën time, por jo atdheun tim”
Të tjerë, si Türkmen Tekin, një nënë 46-vjeçare me tre fëmijë, reaguan instinktivisht ndaj ngjarjeve të asaj nate.
“Po na humb vendi, duhet të veprojmë tani,” i kishte thënë ajo burrit të saj.
Largoi tre fëmijët në gjumë, mori abdes (larje rituale para lutjes), dhe ia la çelësat e shtëpisë kunatës, duke i kërkuar të kujdesej për fëmijët. Më i vogli ishte vetëm 11 vjeç.
“Gruaja ime ishte aq e nxituar sa nuk i veshi as këpucët. Nuk u ndal as për t’u veshur siç duhet,” tregon i shoqi Ramazan Tekin për TRT World.
Ata dolën për te komisariati në lagjen Esenler të Istanbulit, pastaj u drejtuan për në Aeroportin Atatürk pasi dëgjuan se presidenti ishte atje.
“Dolëm në rrugë për atdheun, për flamurin, për thirrjen e ezanit. Nuk kam ndjerë asnjëherë pendim, nuk kam menduar: ‘Pse dolëm?’ Sepse pa shtet, nuk ka as atdhe, as flamur,” shton ai.
Diku gjatë rrugës, ndërsa tanket po përparonin, ata u zunë në befasi.
“Po ecnim dhe njerëzit bërtisnin ‘po vjen tanku’, njëri pas tjetrit, ose të paktën ashtu dukej. Në zhurmën e turmës, nuk dëgjohej asgjë.”
Kur e kuptuan se tanku po vinte drejt tyre, Ramazan i tha gruas së tij të largohej.
“Tradhtarët po e drejtonin atë tank mbi ne,” tregon ai për TRT World.
“Kur e pashë gruan time, ajo ishte në tokë.” Ishte goditur për vdekje në kokë. Me lot në sy, tregon se e mbajti në krahë dhe i foli, por ajo nuk mundi të përgjigjej.
E çuan në spital, por mjekët vetëm se e konfirmuan vdekjen.
Ai e mbajti në krah ndërsa jepte shpirt, më vonë u tha gazetarëve:
“Kur e pashë, kishte të njëjtën buzëqeshje, të njëjtën lëkurë të bardhë si ditën e dasmës sonë.”
Türkmen Tekin, shton ai, gjithmonë kishte ëndërruar të binte dëshmore.
“Ajo gjithmonë thoshte: ‘Ah sikur të isha ushtare ose t’i shërbeja shtetit që të bija dëshmore.’ Zoti ia dha shehidllëkun që gjithmonë e kishte dëshiruar.”
Ai gjen forcë në heshtje në sakrificën e gruas së tij për vendin: një dashuri që i bashkon akoma.
“E humba gruan time. E humba shtyllën dhe mbështetjen time. Por nuk e humba vendin tim.”
“Rroftë atdheu!”
Ka heroizëm, guxim moral dhe diçka gati epike në këto histori: nëna që lë fëmijët në gjumë, vajza adoleshente që qëndron sfiduese përballë armëve, burri që mban trupin e përgjakur të gruas përmes turmës.
Këto momente, dhe tregimet që i ruajnë ato, janë një rirrëfim i natës kur republika ishte pranë humbjes, dhe u shpëtua.
Kostoja e harresës do të ishte edhe më e madhe sesa kostoja e qendresës.
Ngjarjet e asaj nate janë tashmë të ngulitura në kujtesën kombëtare të vendit, të institucionalizuara përmes një feste shtetërore, dhe të pavdekësuara përmes narrativave të dëshmorëve.
Vrasja e 253 njerëzve, disa prej të cilëve vetëm 15 vjeç, është përkujtuar. 15 Korriku shënohet me ceremoni përkujtimore dhe intervista me të mbijetuar dhe familjarë të pikëlluar.
“Vatan sağ olsun (Rroftë atdheu),” thotë njëri nga të intervistuarit për TRT World.