Rritet në 109 numri i viktimave nga përmbytjet në Teksas të SHBA-së

Rritet në 109 numri i viktimave nga përmbytjet në Teksas të SHBA-së

Numri i viktimave nga përmbytjet në Teksas të SHBA-së është rritur në 109 ndërsa përpjekjet e kërkim-shpëtimit janë duke vazhduar për më shumë se 160 persona të zhdukur, transmeton Anadolu.

Guvernatori i Teksasit, Gregg Abbott bëri një deklaratë për mediat në lidhje me përmbytjet që ndodhën më 4 korrik për shkak të reshjeve të dendura të shiut.

Ai tha se numri i të vdekurve në të gjithë shtetin për shkak të përmbytjeve është rritur në 109 ndërsa 161 persona rezultojnë të zhdukur vetëm në qytezën Kerr. Ndërkohë nuk u publikua asnjë informacion mbi numrin e përgjithshëm të personave të zhdukur në të gjithë shtetin.

Abbott deklaroi se përpjekjet do të vazhdojnë derisa të gjenden të gjithë personat e zhdukur.

Reshjet e dendura të shiut që filluan papritur më 4 korrik në shtetin jugor të Teksasit shkaktuan daljen nga shtrati të lumit Guadalupe në qytezën Kerr, duke shkaktuar përmbytje.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump e shpalli zonën Kerr një zonë katastrofe për shkak të përmbytjeve.

Zyrtarët lokalë republikanë të shtetit kritikuan për dështim në ofrimin e paralajmërimeve të mjaftueshme dhe parashikimeve të sakta para fatkeqësisë, Shërbimin Kombëtar të Motit (NWS), buxhetin e të cilit presidenti Trump e uli si pjesë e politikave të tij të kursimit.

MARKETING