Sulmet ajrore izraelite vrasin 41 palestinezë në Gaza

Të paktën 41 palestinezë, përfshirë fëmijë, u vranë të dielën në një seri sulmesh ajrore izraelite në gjithë Rripin e Gazës, sipas burimeve lokale, transmeton Anadolu.
Në Qytetin e Gazës, 25 persona u vranë kur avionët luftarakë izraelitë bombarduan dy shtëpi që strehonin familje të zhvendosura në lagjet Sheikh Radwan dhe Al-Nasr, tha një burim mjekësor.
Dëshmitarët okularë thanë se shtëpitë ishin të mbushura me familje që flinin, kryesisht gra dhe fëmijë, kur ndodhën sulmet. Disa persona mbeten të bllokuar nën rrënoja.
Një sulm izraelit me dron goditi një tendë që strehonte palestinezë të zhvendosur në Sheikh Radwan, duke vrarë tre persona dhe duke plagosur të tjerë, sipas zyrtarëve të shëndetësisë.
Gjatë natës, tre persona nga e njëjta familje u vranë dhe të tjerë u plagosën në një sulm ajror izraelit në shtëpinë e tyre në lagjen Al-Daraj të Qytetit të Gazës, konfirmoi një burim në Spitalin Baptist Al-Ahli.
Në Gazën jugore, të paktën dhjetë persona, përfshirë fëmijë dhe një grua shtatzënë, u vranë në dy sulme ajrore izraelite mbi tenda të improvizuara për civilë të zhvendosur në zonën Al-Mawasi të Khan Younis, raportuan ekipet mjekësore në spitalet fushore Nasser dhe Kuvajt.
Forcat izraelite bombarduan gjithashtu struktura banimi dhe civile në lindje të Qytetit të Gazës dhe pjesët veriore të enklavës gjatë natës, me banorët që raportuan shpërthime të vazhdueshme gjatë gjithë natës.
Në Gazën qendrore, një predhë izraelite plagosi një peshkatar palestinez në brigjet e Deir al-Balahut ndërsa ai po punonte.
Pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për armëpushim, Izraeli ka kryer një luftë gjenocidale në Gaza, duke vrarë më shumë se 57.300 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, që nga tetori i vitit 2023.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti nëntorin e kaluar për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.