Valë nxehtësie dhe zjarre masive në Spanjë, humbin jetën dy persona

Dy persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri të madh në rajonin e Katalonjës në Spanjë, i cili tashmë është vënë kryesisht nën kontroll, ndërsa Evropa po përballet me një valë të fortë të nxehtësisë.
Zjarri shpërtheu të martën në një zonë bujqësore në Torrefeta, duke përfshirë rreth 40 kilometra dhe duke shkatërruar disa ferma, njoftuan zjarrfikësit. “Zjarri ishte jashtëzakonisht i rëndë dhe i çrregullt për shkak të stuhive dhe erërave të forta, duke ndërlikuar përpjekjet e shuarjes,” thanë autoritetet.
Rreth 14,000 banorë u urdhëruan të qëndronin brenda për disa orë, ndërsa udhëheqësi rajonal Salvador Illa bëri thirrje për kujdes: “Ju lutemi të tregoni kujdes dhe të ndiqni të gjitha udhëzimet dhe rekomandimet nga shërbimet e emergjencës.”
Në mes të kësaj situate të tensionuar, agjencia meteorologjike spanjolle AEMET paralajmëroi për stuhi dhe erëra të forta në pjesën më të madhe të Gadishullit Iberik, ndërkohë që temperaturat e larta vazhdojnë të shkaktojnë alarm në gjithë Evropën.