Spanja kritikon BE-në për mospezullimin e marrëveshjes tregtare me Izraelin

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez të enjten kritikoi ashpër Bashkimin Evropian për mospezullimin e marrëveshjes tregtare me Izraelin për shkak të ofensivës së këtij të fundit në Gaza.
MARKETING
“Nuk ka aspak kuptim që kemi miratuar 18 paketa sanksionesh ndaj Rusisë për agresionin e saj kundër Ukrainës dhe Evropës, por, me standarde të dyfishta, nuk kemi qenë në gjendje as të pezullojmë Marrëveshjen e Asociimit me Izraelin, kur ata po shkelin në mënyrë flagrante Nenin 2 për sa i përket të drejtave të njeriut,” tha ai përpara mbledhjes së Këshillit të BE-së në Bruksel.
Sanchez shtoi se gjatë takimit të së enjtes do të kërkonte që BE të pezullojë “menjëherë” marrëveshjen me Izraelin.
Neni 2 i Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael përcakton se respektimi i të drejtave të njeriut dhe parimeve demokratike përbën një “element thelbësor” të marrëveshjes.
Spanja dhe Irlanda nisën për herë të parë përpjekjet për të rishikuar marrëveshjen në shkurt 2024. Megjithatë, BE-ja pranoi të shqyrtojë marrëveshjen vetëm pas një nisme të Holandës në maj.
Të hënën, ministrat e jashtëm u mblodhën për t’iu përgjigjur shqyrtimit, i cili gjeti “tregues” që Izraeli kishte shkelur detyrimet për të drejtat e njeriut në Gaza.
Pas mbledhjes, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, përjashtoi pezullimin e marrëveshjes për momentin.
“Qëllimi ynë i parë është të ndryshojmë situatën në terren,” tha ajo. “Nëse situata nuk përmirësohet, atëherë mund të diskutojmë masa të mëtejshme dhe të rikthehemi në korrik.”
Të enjten, Sanchez tha: “Është më se e qartë” që Izraeli ka shkelur detyrimet e tij për të drejtat e njeriut sipas marrëveshjes, dhe se BE-ja nuk mund të presë më për të vepruar.