Spanja bën thirrje për kthimin urgjent në diplomaci pas sulmeve të SHBA-së ndaj centraleve bërthamore iraniane

Spanja bën thirrje për kthimin urgjent në diplomaci pas sulmeve të SHBA-së ndaj centraleve bërthamore iraniane

Spanja ka shprehur shqetësim serioz për tensionet në rritje në Lindjen e Mesme pas sulmeve të SHBA-së ndaj centraleve bërthamore iraniane, duke i nxitur të gjitha palët të ulin tensionin dhe të kthehen në tryezën e negociatave, transmeton Anadolu.

MARKETING

“Jemi shumë të shqetësuar për situatën aktuale në Lindjen e Mesme dhe sigurisht siç kemi bërë për shumë ditë tani, u bëjmë thirrje të gjithëve, të gjitha palëve, të ulin tensionin”, tha ministri spanjoll i Punëve të Jashtme, Jose Manuel Albares, duke folur për transmetuesin RTVE.

“Nuk është zgjidhja ushtarake që do të sjellë paqe dhe stabilitet në Lindjen e Mesme, por më tepër diplomacia dhe për këtë arsye shpresojmë që të gjithë do të kthehen në tryezën e negociatave”, tha ai, duke shtuar se “respekti absolut për të drejtën ndërkombëtare është shumë më i rëndësishëm në këtë kohë”.

Në një deklaratë të ndarë, Ministria e Punëve të Jashtme e Spanjës tha se qeveria shprehu “shqetësimin e saj të thellë” për situatën.

“Situata duhet të ri-drejtohet përmes mjeteve diplomatike, ndërprerja e dhunës dhe kthimi në negociata është urgjente”, tha ministria spanjolle, duke përsëritur thirrjen e saj për “përmbajtje dhe respekt për të drejtën ndërkombëtare”.

Spanja gjithashtu konfirmoi se ambasadat e saj në Iran dhe në vendet fqinje mbeten plotësisht funksionale për të ndihmuar spanjollët në çdo eventualitet.

Situata në rajon u përkeqësua më tej pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, herët në mëngjes njoftoi se forcat amerikane kryen sulme ajrore “shumë të suksesshme” në tre lokacione bërthamore iraniane, mes frikës në rritje të një konflikti më të gjerë në rajon.

Pas sulmeve të SHBA-së, Irani i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së të mbajë një takim urgjent për të dënuar agresionin e SHBA-së dhe për t’i mbajtur përgjegjës ata që shkelin të drejtën ndërkombëtare.

Armiqësitë shpërthyen më 13 qershor kur Izraeli nisi sulme ajrore në disa vende në të gjithë Iranin, duke përfshirë objekte ushtarake dhe bërthamore, duke bërë që Teherani të nisë sulme hakmarrëse.

Që atëherë, autoritetet izraelite thanë se të paktën 25 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur në sulmet iraniane me raketa, ndërkohë sipas autoriteteve iraniane, të paktën 430 persona janë vrarë dhe më shumë se 3.500 të tjerë plagosur në sulmet izraelite në Iran.

MARKETING