Miliona emigrantë përmendin diskriminimin dhe racizmin si arsye për t’u larguar nga Gjermania

Instituti Gjerman për Tregun e Punës dhe Kërkimi Profesionale (IAB) ka raportuar se një e katërta e emigrantëve apo rreth 2.6 milionë po mendojnë të largohen nga vendi, duke e sjellë përsëri në qendër të vëmendjes çështjen e diskriminimit dhe viktimizimit me të cilin përballen të huajt në Gjermani.
MARKETING
Fatih Zingal, një avokat i cili merret edhe me raste që përfshijnë emigrantët në disavantazh në Gjermani, për Anadolu tha se dëshira e emigrantëve për të migruar përsëri është një pasqyrim i racizmit në rritje në vend.
“Këta njerëz duan të kthehen ose në një vend tjetër evropian ose në atdheun e tyre”, tha Zingal.
Siç thekson ai, emigrantët që mbërrijnë në vend shpesh përballen me vështirësi në përshtatjen me kulturën gjermane dhe tendenca e shoqërisë gjermane për t’u orientuar drejt vetvetes luan një rol të rëndësishëm në këtë.
Zingal shpjegoi se emigrantët po fillojnë të preferojnë vendet e tjera evropiane për shkak të strukturës shoqërore.
“Ata që vijnë këtu duhet të bëjnë kërkimet e tyre paraprakisht, përndryshe ata mund të zhgënjehen. Edhe ata me arsim të lartë mund të vendosin të emigrojnë në një vend tjetër pasi të kenë punuar për një ose dy vite”, tha Zingal.
Ai gjithashtu theksoi se kjo shifër, një e katërta e emigrantëve, nuk kufizohet vetëm tek ata që duan të kthehen në atdheun e tyre.
“Ata po zgjedhin të shkojnë nga Gjermania në vendet mesdhetare si Italia dhe Spanja ose në vende si Kanadaja dhe SHBA-ja”, shtoi ai.
– Rritja e racizmit në Gjermani
Zingal theksoi se racizmi gjithashtu është një faktor i rëndësishëm tek emigrantët që duan të largohen.
“Partia Alternativa për Gjermaninë (AfD) po i afrohet shifrës 25 për qind. E ndjeni këtë në çdo sferë shoqërore që hyni në të gjithë vendin, në zyrat qeveritare, në shkolla, në ndërveprimet me nëpunësit civilë”, shprehet Zingal.
Duke theksuar se qëndrimi i racistëve gjermanë ndaj emigrantëve po bëhet gjithnjë e më negativ, Zingal tha se e “ndjeni këtë në çdo fushë dhe nëse një në katër persona e ka këtë mentalitet, ata nuk e fshehin më atë në përputhje me klimën politike, ata e shprehin hapur”.
Zingal theksoi se Gjermania ka nevojë për emigrantë për të punuar në çdo fushë dhe se migrimi i kundërt nga Gjermania do të ushtronte presion ekonomik mbi vendin.
Duke paralajmëruar se emigrantët në Gjermani duhet të luftojnë më shumë në çdo fushë dhe se ky është një problem i madh për ta që të vendosen në vend, Zingal shprehu vështirësitë me të cilat përballen refugjatët në vend.
“Për një refugjat që mbërrin në Gjermani, marrja me qira e një shtëpie ose e një makine është dhjetë herë më e vështirë sesa për një gjerman. Edhe nëse aplikojnë për të njëjtën pagë dhe në të njëjtat kushte, këta njerëz duhet të bëjnë dhjetë herë më shumë përpjekje. Ata e ndiejnë këtë, edhe pse nuk përballen drejtpërdrejtë me racizmin. Si dikush që ka lindur dhe është rritur në Gjermani, edhe ata që janë bërë shtetas gjermanë përjetojnë të njëjtën gjë. Nuk ka ndryshim”, tha ai.
Më tej, Zingal tha se Gjermania në përgjithësi pranon njerëz të të gjitha racave, pavarësisht politikës së saj të imigracionit që preferon evropianët.
“Nëse njerëzit që do të zgjidhnin Gjermaninë do të zgjidhnin vende të tjera, kryesisht SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, ky është një problem i madh për ekonominë e tretë ose të katërt më të madhe në botë. Punëdhënësit po ankohen se nuk mund të gjejnë staf të mjaftueshëm”, shpjegon Zingal.
– Probleme me zbatimin e ligjeve
Më tej, Zingal tha se zyrtarët e zbatimit të ligjit duhet të jenë më të kujdesshëm kur bëhet fjalë për krimet raciste dhe diskriminuese të urrejtjes kundër emigrantëve.
“Mbrojtja ligjore mund të jetë e mjaftueshme, por ligji ose zbatohet ose jo, ose zbatohet në mënyrë të pamjaftueshme. Sipas mendimit tim, ai po zbatohet në mënyrë të pamjaftueshme”, tha ai.
Duke theksuar se refugjatët i nënshtrohen jo vetëm dhunës verbale, por edhe asaj fizike, Zingal theksoi se qeveria gjermane duhet të garantojë sigurinë e njerëzve.
Ai gjithashtu tha se politikanët gjermanë nuk po flasin mjaftueshëm kundër praktikave raciste dhe diskriminuese kundër emigrantëve nga frika e “humbjes së votave”.
“Politikanët kanë një mekanizëm të caktuar në vend. Ti dëshiron të fitosh zgjedhjet dhe sheh një grup njerëzish që përbëjnë 25 për qind të elektoratit dhe ndihesh i detyruar të flasësh sipas dëshirave të tyre dhe nëse politika jote evoluon në përputhje me rrethanat, atëherë ka një problem”, tha ai.
– Ata që po mendojnë të largohen janë me arsim të lartë
Një studim i kryer nga IAB zbuloi se shumica e atyre që po mendojnë të largohen nga vendi janë individë me arsim të lartë.
Qëllimi për t’u larguar nga vendi ishte më i lartë në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit me 39 për qind, i ndjekur nga sektori i financave me 30 për qind dhe sektori i shërbimeve shëndetësore dhe sociale me 28 për qind.
Midis atyre që planifikojnë të largohen nga Gjermania, ekonomia më e madhe e Evropës, nuk janë vetëm ata që erdhën për punë, por edhe ata që migruan në vend për arsim dhe familje.