Opozita italiane i bën thirrje qeverisë t’i japë fund “heshtjes bashkëfajtore” ndaj krimeve të luftës izraelite në Gaza

Partia kryesore e majtë opozitare e Italisë i ka bërë thirrje qeverisë t’i japë fund “heshtjes bashkëfajtore” ndaj krimeve të luftës së Izraelit në Gaza, transmeton Anadolu.
MARKETING
“Këto krime duhet të ndalen, bashkësia ndërkombëtare dhe qeveria italiane duhet të bëjnë gjithçka për të ndaluar këtë masakër. Qeveria duhet të shprehë dënim të vendosur ndaj Izraelit dhe të punojë për një armëpushim dhe për të zhbllokuar ndihmën humanitare për Gazën”, tha kryetarja e Partisë Demokratike, Elly Schlein, gjatë debatit mbi një mocion të përbashkët parlamentar nga partitë e opozitës që kërkonin nga qeveria të veprojë kundër Izraelit.
Schlein kujtoi se OKB-ja ka thënë se ajo që ka ndodhur në Gaza është spastrim etnik.
“Ne duhet t’i ndalojmë krimet e së djathtës ekstreme izraelite të udhëhequr nga Netanyahu. Bota nuk mund të qëndrojë duarkryq dhe të shikojë. Në këtë mocion të përbashkët i kërkojmë qeverisë italiane të thyejë heshtjen e saj bashkëfajtore dhe të shprehë dënim të vendosur të krimeve të qeverisë izraelite”, tha ajo.
“Izraeli po shkel çdo rregull të së drejtës ndërkombëtare humanitare, duke krijuar një precedent të rrezikshëm. Kjo është arsyeja pse ne po kërkojmë sanksione ndaj qeverisë izraelite. Ne po kërkojmë sanksione dhe një embargo totale për armët nga dhe drejt Izraelit. Në këtë mocion shprehim mbështetjen tonë të plotë për palestinezët”, theksoi Schlein.
Dje, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha se BE-ja do të rishikojë një pakt që rregullon lidhjet e saj politike dhe ekonomike me Izraelin për shkak të situatës “katastrofike” në Gaza.
Në ditët e fundit, ushtria izraelite intensifikoi sulmet e saj ajrore në Gaza, duke vrarë më shumë se 500 palestinezë dhe duke plagosur qindra të tjerë.
Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite vazhdon me ofensivën brutale kundër Gazës që nga tetori i vitit 2023, duke vrarë të paktën 53.600 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze.