Trump planifikon të dëbojë 200 mijë ukrainas

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump po shqyrton një plan me të cilin afërsisht 200 mijë shtetas ukrainas do të deportoheshin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
MARKETING
Kjo do të bëhej me ndihmën e fondeve të destinuara për ndihmë të huaj, raportoi Washington Post duke u bazuar në draftet e dokumenteve të brendshme të cilat i ka në dispozicion.
Sipas planit, Uashingtoni ka ndërmend të ndajë rreth 250 milionë dollarë nga fondet për ndihmë të jashtme për rivendosjen e njerëzve nga zonat e konflikteve aktive, përfshirë rreth 500 mijë haitianë.
Gjatë mandatit të presidentit Joe Biden, ukrainasit dhe haitianët morën statusin e përkohshëm të mbrojtjes, që u mundësoi qëndrimin ligjor në SHBA, pasi nuk mund të ktheheshin në mënyrë të sigurt në vendet e tyre.
Por, me rikthimin e administratës Trump dhe ashpërsimin e politikës së emigracionit, situata po ndryshon. Trump më parë kishte njoftuar nisjen e “programit më të madh të deportimeve në historinë amerikane”, me synimin për të larguar nga vendi midis 15 dhe 20 milionë migrantë.
Sipas draftit të dokumenteve, plani u zhvillua pas deklaratës së Departamentit të Sigurisë Kombëtare më 5 maj, që migrantët që kthehen vullnetarisht në vendet e tyre do të mund të përfitojnë ndihmë financiare prej 1000 dollarësh.
Përveç ukrainasve dhe haitianëve, dokumentet përmendin gjithashtu afganët, palestinezët, libianët, sudanezët, sirianët dhe jemenitë si objektiva të mundshme të deportimeve të ardhshme.