Krasniqi: Nuk do të ishte e gabueshme të mblidhemi çdo ditë për konstituim, Vetëvendosje duhet të ndryshojë kandidatin

Krasniqi: Nuk do të ishte e gabueshme të mblidhemi çdo ditë për konstituim, Vetëvendosje duhet të ndryshojë kandidatin

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se nuk do të ishte e gabuar nëse partitë do të mblidheshin çdo ditë për të arritur konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Ai theksoi se kjo do të ishte një detyrim ndaj votuesve që i kanë zgjedhur, duke kërkuar veprim konkret për të zhbllokuar situatën e krijuar, shkruan Gazeta Sinjali.

MARKETING

Megjithatë, Krasniqi insistoi se partia Lëvizja Vetëvendosje duhet të ndërrojë emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit për të mundësuar një zgjidhje.

“Kjo pak i intereson Kurtit, i cili pak ka interes për me zhblloku situatën”, tha Krasniqi, duke kritikuar qasjen e kryeministrit Albin Kurti për të zgjidhur ngërçin politik.

Ai shtoi se vullneti i partive të tjera është që të mos vazhdohet me bllokim dhe se, nëse do të ishte nevoja, duhet të mblidheshin çdo ditë për të arritur konstituimin.
“Vullneti i partive tjera ishte që kjo mos të ndodhë. Nuk do të ishte fare e gabueshme nëse mblidhemi çdo ditë, sepse do të ishte para së gjithash një detyrim para votuesve që na kanë zgjedhur për këtu”, tha ai.

Megjithatë, Krasniqi nuk ka shumë shpresa se do të arrihet një marrëveshje, duke theksuar se ka pasur shumë prova që tregojnë mungesën e vullnetit për të zgjidhur situatën.

“Nuk pres që një gjë e tillë ndodhë, për shkak të faktit tashmë të dëshmuar”, përfundoi ai.

MARKETING