Macron: Vendi i Shqipërisë është në Bashkimin Evropian

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pritur në selinë e Kryeministrisë së Shqipërisë presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në ditën e dytë të vizitës së tij në Tiranë, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, raporton Anadolu.
MARKETING
Gjatë konferencës së përbashkët për mediat me kryeministrin Rama, presidenti francez theksoi se mbyllja e negociatave mes BE-së dhe Shqipërisë në vitin 2027 nuk është vetëm një perspektivë, por një realitet.
“Vendi i Shqipërisë është në BE, që është i rëndësishëm. Dua ta ri-shpreh këtu bindjen e plotë që kam që shpreha gjatë vizitës së mëparshme, për ribashkimin e kontinentit evropian për t’i bërë ballë sfidave të përbashkëta. Shqipëria ka treguar udhën, ka bërë avancime shumë të mëdha këto kohët e fundit, ka bërë shumë blloqe kapitujsh të negociatave. Udha e Shqipërisë është shumë e qartë drejt BE-së”, tha Macron.
Duke folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Macron u shpreh se BE-ja është legjitime për të kërkuar që të ketë avancime konkrete mbi çështjen politike dhe për çështjet e sigurisë.
“Unë uroj që javët e ardhshme të rifillojmë dialogun edhe me Prishtinën dhe me Beogradin, sepse secili vend është përballur me vështirësi politike e sociale për të mundur të bëjmë avancimin, është e rëndësishme për të gjithë rajonin”, tha Macron.
Macron foli edhe për luftën Rusi-Ukrainë, ku theksoi se propozimet e armëpushimit që sipas tij janë një iniciativë amerikane, nuk janë respektuar nga presidenti rus Vladimir Putin dhe ushtria e tij.
Kryeministri Rama, nga ana e tij, theksoi se e ndiejnë Francën shumë afër edhe në procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Ai shtoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Francës kanë hyrë në një fazë krejtësisht të re dhe të panjohur më parë.
“Kemi folur me presidentin dhe për mundësinë e përfshirjes së Francës në ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë dhe do të shikojmë më tutje në komunikime të drejtpërdrejta sesi mund të materializohet përfshirja e Francës”, tha Rama.
Duke folur për NATO-n, Rama u shpreh se kanë ecur sipas angazhimit duke rritur buxhetin dhe kapur 2 për qind që ka qenë objektivi i përbashkët i Aleancës.
“Është një privilegj i veçantë që Shqipëria mikpriti Komunitetin Politik Evropian dhe patjetër është një privilegj i veçantë që së bashku me presidentin( Macron) dhe një grup vendesh e kemi shtyrë këtë projekt të komunitetit politik evropian, në pikën ku tanimë ka konsensus të plotë nga gjithë vendet përbërëse dhe faktikisht po krijohet një substancë e re në marrëdhëniet mes vendeve evropiane”, tha Rama.
Gjatë vizitës së presidentit francez, u nënshkruan edhe disa marrëveshje, që sipas autoriteteve shqiptare realizohen në kuadër të forcimit të bashkëpunimit mes vendeve. Mes Shqipërisë dhe Francës u shkëmbyen marrëveshjet e bashkëpunimit në fushën e energjisë, u nënshkrua marrëveshja teknike për blerjen nga Shqipëria të sistemit të vëzhgimit ajror nga një kontraktor industrial francez, u nënshkrua memorandumi i mirëkuptimit për krijimin e një projekti gjithëpërfshirës për turizmin e qëndrueshëm në rajonin e Korçës, si dhe u nënshkrua deklarata e bashkëpunimit për Planin e Veprimit për Inovacionin Francë-Shqipëri.
Gjithashtu Rama dhe Macron morën pjesë në forumin ndërkombëtar FII (Future Investment Initiative).