Shefi i diplomacisë turke nesër takon homologun e tij amerikan dhe atë ukrainas

Shefi i diplomacisë turke nesër takon homologun e tij amerikan dhe atë ukrainas

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, ka bërë të ditur se nesër do të takohet me sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio dhe ministrin sirian të Punëve të Jashtme, Assad Hassan al-Shaibani, transmeton Anadolu.

MARKETING

Fidan foli për TRT News para se të fillojë takimi joformal i ministrave të jashtëm të NATO-s në Antalya. Ai tha se takimi joformal i NATO-s do të diskutojë përgatitjet për samitin e liderëve të NATO-s, i cili do të mbahet në Hagë të Holandës në muajin qershor dhe theksoi se fakti që Turqia po pret takimin i shton rëndësinë bisedimeve.

Fidan në fjalën e tij gjithashtu theksoi se arkitektura evropiane e sigurisë është ndikuar ndjeshëm, duke shtuar se Bashkimi Evropian (BE) dhe NATO kanë zhvilluar iniciativa dhe parametra të reja për vendeve e tyre anëtare.

Sipas ministrit turk, parametrat dhe kufizimet në shpenzimet e mbrojtjes, heqja e sanksioneve dhe kufizimeve në bashkëpunimin e mbrojtjes midis aleatëve dhe zgjidhja e zonave të diskutueshme janë pika të rëndësishme të agjendës.

Lufta Rusi-Ukrainë dhe gjenocidi në Gaza në agjendë

Fidan theksoi se çështja e përfundimit të luftës Rusi-Ukrainë do të jetë po ashtu në agjendë, duke shtuar se, “Përveç kësaj, si Turqi, ne do të diskutojmë në mënyrë joformale dhe produktive të gjitha çështjet e tjera, veçanërisht luftën dhe gjenocidin në Gaza, të cilat janë në rajonin tonë fqinj dhe ndikojnë drejtpërdrejtë në sigurinë transatlantike”.

Lidhur me takimin e tij të djeshëm me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Fidan tha se shefi i aleancës u prit edhe nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan dhe se korniza strategjike e marrëdhënieve NATO-Turqi u përsërit gjatë takimit.

Fidan tha se ai u takua me Rutte-n edhe në një darkë pune, ku strategjia e përcaktuar me presidentin Erdoğan u diskutua plotësisht.

Ai tha se ata diskutuan aspekte të ndjeshme të çështjeve të përbashkëta të aleancës për Turqinë, marrëdhëniet NATO-Turqi dhe lidhjet midis vendeve anëtare të NATO-s dhe Turqisë.

“Ka disa çështje për të cilat sekretari i përgjithshëm i NATO-s duhet të jetë i vetëdijshëm dhe të ndërhyjë vetë. Na u lejua t’i shpjegonim një nga një. Pra, si do t’i ndjekim këto çështje së bashku? Cilin udhëheqës do të ndjekim dhe si do t’i diskutojmë ato? Gjithashtu arritëm në një marrëveshje të përgjithshme për këtë çështje. Shkurt, ishte një takim jashtëzakonisht produktiv”, u shpreh Fidan.

Aktivitete intensive diplomatike në Stamboll

Duke iu përgjigjur një pyetje në lidhje me bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës që do të organizohen nga Turqia në Stamboll, Fidan tha se “ka një lëvizje diplomatike jashtëzakonisht intensive tani për tani”.

“Shumë palë janë në bisedime me njëra-tjetrën. Ka bisedime të planifikuara për nesër në Stamboll. Disa delegacione tashmë janë përcaktuar dhe të tjerat akoma janë duke u përcaktuar. Formati i saktë akoma nuk është finalizuar”, tha Fidan.

Shefi i diplomacisë turke tha se vendi i tij ka punuar për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë që nga fillimi i saj, duke theksuar se Turqia dëshiron që luftërat dhe tensionet në Gaza, Afrikë dhe rajon të marrin fund, si dhe një paqe të përhershme dhe të qëndrueshme.

“Jam pak optimist në këtë pikë”

“Delegacioni amerikan po vjen në Stamboll, delegacioni rus do të vijë në Stamboll. Unë përsëri do të takohem me ministrin e jashtëm ukrainas (Andrii Sybiha) pasi të takohem me ju sot. Ka një lëvizje të bollshme”, tha Fidan, duke iu referuar negociatave të paqes ruso-ukrainase që do të zhvillohen në Stamboll.

Ai tha se aktualisht palët po përpiqen të harmonizojnë qëndrimet e tyre.

“Sigurisht, ne mirëpresim këtë mirëkuptim. Meqenëse të gjithë kanë bazën e tyre për t’u mbrojtur, qëllimi më i rëndësishëm strategjik për ne është të vendosim një armëpushim sa më parë dhe të fillojmë negociata sistematike për paqen. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për rajonin tonë”, shtoi ai.

I pyetur nëse është optimist për negociatat, Fidan u përgjigj, “Jam pak më optimist në këtë pikë. Qëllimi që ‘dua ta ndal këtë luftë’ është i rëndësishëm, por ka modalitete dhe duhet të vendoset besimi. Është e vështirë të krijosh besim kur i lë të dyja palët vetëm. Prandaj, duhet të përfshihen aktorë të besueshëm dhe të qëndrueshëm me besueshmëri të lartë. Turqia është padyshim një nga aktorët kryesor”.

Njoftimi i Trumpit për heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë

Në përgjigje të një pyetje tjetër lidhur me njoftimin e presidentit amerikan, Donald Trump për heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë, Fidan tha se ekziston një vizion që udhëheq përpjekjet e Turqisë në Siri, duke përmendur takimet e tij me presidentin Erdoğan.

“Përmbajtja e këtij vizioni është që jo vetëm Turqia, por të gjithë palët e interesuara në rajon duhet të përfshihen në zgjidhjen e çështjes siriane dhe se evropianët dhe amerikanët duhet të luajnë një rol pozitiv në këtë çështje”, tha ai.

Ministri turk tha se shumë vende në rajon, veçanërisht Arabia Saudite, po luajnë një rol pozitiv dhe po punojnë në koordinim me këto vende, si dhe shtoi se presidenti sirian, Ahmad al-Sharaa dhe ministri i Punëve të Jashtme, Al-Shaibani, janë në kontakt të ngushtë diplomatik.

Ai po ashtu tha se diplomacia e administratës së re është pritur mirë në të gjithë botën.

Fidan theksoi rëndësinë e heqjes së sanksioneve të vendosura nën regjimin e Bashar al-Assadit të rrëzyar për të siguruar kthimin e popullit sirian dhe për të ringjallur ekonominë dhe tha se presidenti Erdoğan ngriti shqetësime në lidhje me luftën në Gaza dhe punën e përbashkët për të përmirësuar situatën në Siri në bisedimet e tij me Trumpin.

Ai tha se Trump iu përgjigj pozitivisht kërkesës së Erdoğanit.

“Është thelbësore që roli konstruktiv i Turqisë në Siri të njihet. Kjo është vërtetë çështje besimi. Në të njëjtën kohë, komuniteti ndërkombëtar na ka ngarkuar këtë përgjegjësi”, tha ai.

Fidan e përshkroi takimin midis Turqisë, SHBA-së, Arabisë Saudite dhe Sirisë si “historik” dhe pozitiv.

Ai njoftoi se do të takohen me sekretarin amerikan Rubio dhe ministrin sirian al-Shaibani nesër pas takimit joformal të ministrave të jashtëm të NATO-s.

“Ne do të punojmë se si të përparojmë detajet e marrëveshjes që liderët kanë hartuar dhe për të cilën kanë rënë dakord”, tha ai.

Ministri turk tha se ata presin që investimet në Siri të rriten sapo të hiqen zyrtarisht sanksionet.

MARKETING