Marta Kos: Serbia nuk ka plotësuar asgjë nga ato çfarë ka premtuar në dhjetor

Marta Kos: Serbia nuk ka plotësuar asgjë nga ato çfarë ka premtuar në dhjetor

“Unë nuk jam e kënaqur me atë që shoh në Serbi… Kryeministri i ri dhe kryetarja e parlamentit më kishin premtuan se reformat do të zbatohen shpejt, por të njëjtën gjë iu ka premtuar edhe presidenti i Serbisë presidentes së Komisionit Evropian dhe presidentit të Këshillit Evropian në fund të marsit, dhe nuk ndodhi asgjë… Do të shohim se si do të veprojmë më tutje”.

MARKETING

Kështu ka deklaruar komisionerja evropiane, Marta Kos gjatë debatit të djeshëm për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili u mbajt në Parlamentin Evropian.

Dialogu publik për këtë instrument financiar të BE-së, me vlerë prej gjashtë miliardë eurosh, është zhvilluar mes komisioneres Kos dhe anëtarëve të Komitetit për Punë të Jashtme dhe Komitetit për Buxhet të Parlamentit Evropian në Bruksel, raporton portali European Western Balkans (EWB).

“Kur isha në Beograd, i thashë zotit Vuçiq se, megjithëse e gjithë qeveria dhe ai vetë shpjegojnë se po angazhohen për reforma, nuk kanë përmbushur asgjë që nga dhjetori”, ka thënë Kos.

Duke iu referuar pyetjes së deputetëve lidhur me vizitën e Vuçiqit në Moskë, Kos ka shtuar se i kishte thënë atij në Beograd se 9 maji 1945 nuk është i njëjtë me 9 majin 2025, dhe se për të, si komisionere evropiane për zgjerim, do të jetë shumë e vështirë të flasë në favor të Serbisë nëse ai shkon në Moskë.
Kos ka theksuar se për Serbinë tani është më e rëndësishme të përmbushë premtimet lidhur me tre ligjet për mediat, si dhe ato që kanë të bëjnë me zgjedhjen e Këshillit të ri të Trupit Rregullator për Mediat Elektronike (REM) dhe ndryshimin e legjislacionit zgjedhor. Në këtë kontekst, ajo vlerësoi se legjislacioni zgjedhor ekzistues nuk është i mirë, gjë që nuk është vetëm mendim i Komisionit Evropian, por edhe i Komisionit të Venecias.

“Sa i përket Serbisë dhe fondeve nga Plani i Rritjes, ne tani po vlerësojmë nëse duhet t’i alokojmë ato apo jo”, ka thënë Kos, duke konstatuar se nuk është njëqind për qind e sigurt nëse Serbia po ndjek rrugën evropiane.

Ajo ka theksuar se, kur bëhet fjalë për Serbinë, më në fund do të dëshironte të shohë vepra, e jo vetëm të dëgjojë premtime.

MARKETING