Rama bën parashikimin e zgjedhjeve në Kuç, firmos “memorandumin”: Sa mandate marrim

Kryeministri Edi Rama ishte këtë të enjte në Kuç, ku bëri një parashikim për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, në atë që e cilëson si “Memorandumi i Kuçit”. Sipas kreut të qeverisë, Partia Socialiste do të sigurojë me një probabilitet 100% plot 78 mandate, një rezultat që do të përfaqësonte një rritje me katër mandate krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021. Këto mandate shtesë, sipas Ramës, do të vijnë nga qarqet e Elbasanit, Fierit, Shkodrës dhe Dibrës.
Megjithatë, kreu i ekzekutivit prezantoi edhe një skenar të dytë, që sipas tij ka po ashtu 50% mundësi të realizohet, ku PS arrin të fitojë 88 mandate në total. Në këtë parashikim më ambicioz, socialistët do të marrin nga një mandat më shumë se në vitin 2021 edhe në Kukës, Lezhë, Durrës dhe Vlorë, ndërsa në Tiranë pritet të fitojnë dy mandate shtesë.
Parashikimi vjen vetëm pak ditë para votimeve dhe mundohet të imitojë parashikimin që Rama bëri në kokë për zgjedhjet e vitit 2021 po në Kuç.