Vrau vajzën 15-vjeçare, plagosi tjetrën dhe bashkëshorten – krejt çka dihet për krimin makabër në Prizren

Një rast tragjik ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Prizren, ku një shtetas i huaj ka ther për vdekje vajzën e tij 15 vjeçare.
Rasti ka ndodhur rreth orës 05:30 të mëngjesit të sotëm.
Lidhur me këtë rast është deklaruar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu.
Kryeziu bëri të ditur se e lënduar është edhe vajza tjetër e mitur e moshës 10 vjeç.
“Në orët e hershme jemi njoftuar nga policia se ka ndodhur një rast i vrasjes. Rasti ka ndodhur rreth orës 05:30 të mëngjesit. Mund të konfirmoi se e kemi një viktimë një vajzë e mitur 15 vjeçare dhe një vajzë tjetër të mitur 10 vjeçare që është e lënduar”, ka thënë kryeprokurori.
Kryeprokurori ka shtuar se i lënduar është edhe kryerësi i veprës.
“Edhe kryesi i veprës penale është i vetëlënduar, të gjitha këto janë kryer me mjet të mprehtë me thikë. Është një rast i rëndë që ka ndodhur brenda familjes, nuk janë shtetas të Kosovës janë shtetas të huaj dhe mund të konfirmoi se sipas informatave zyrtare në banesën ku ka ndodhur ngjarja ata janë duke jetuar që gjashtë muaj”, tha Kryeziu.
Kryeziu tutje u shpreh se nuk ka pasur të raportuar më parë që kryerësi i veprës të ketë qenë në hetime.
“Nuk kemi pasur të raportuar, ndonjë rast apo të ketë qenë në hetime për ndonjë rast këta persona”, tha ai.