Sa sheqer duhet të shtoni në kafen tuaj për të mbajtur ekuilibrin shëndetësor?

Kafeja, një ritual i përditshëm për shumëkënd, është pjesë e pandashme e mëngjesit të shumë njerëzve. Disa preferojnë ta pinë në shtëpi, të tjerë në kafene, e disa në zyrë. Pavarësisht se kemi ngrënë apo jo, shumëkush drejtohet tek kafeja për të nisur ditën me energji.
Kjo pije e dashur ka transformuar jetën e shumë individëve dhe është bërë një përbërës i rëndësishëm në çdo mëngjes. Ndërkohë që shumë mund të heqin dorë nga alkooli, duket se ka shumë të tjerë të cilët nuk mund të imagjinojnë ditën e tyre pa një filxhan kafeje.
Megjithatë, kafeja nuk është gjithmonë e njëjtë. Disa preferojnë ta pinë atë të pastër dhe të thjeshtë, pa asnjë shtesë, ndërsa të tjerë nuk mund ta mendojnë kafen e hidhur pa sheqer. Por, sa e shëndetshme është kafeja me sheqer, dhe cila është sasia e duhur që duhet të shtoni për të mbajtur një balancë të shëndetshme?
Një rekomandim i rëndësishëm nga nutricistët është të mos e teproni me sheqerin. Sipas ekspertëve, për një filxhan të vogël kafeje ekspres (rreth 30 ml kafe të lëngshme), sasia e toleruar e sheqerit është vetëm 3.1 gramë, që është më pak se një lugë çaji. Nëse shtoni më shumë se kaq, përqindja e sheqerit në kafen tuaj mund të rritet mbi normat e rekomanduara për shëndetin.
Po ashtu, për një kapuçino (25 ml kafe dhe 85 ml qumësht), sasia e mundshme e sheqerit është deri në 7 gramë, që është më pak se dy lugë çaji. Prandaj, është e rëndësishme të jeni të vetëdijshëm për sasinë e sheqerit që shtoni.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandon një sasi ditore të sheqerit prej 25 gramësh, që është rreth 6 lugë çaji sheqer. Megjithatë, është e rëndësishme të mbani parasysh se kjo sasi përfshin të gjithë sheqerin që konsumoni gjatë ditës, nga të gjitha ushqimet dhe pijet, përfshirë kafen.