Evropianët po e braktisin platformën X të Muskut

Evropianët po e braktisin platformën X të Muskut

Sipas një raporti të ri të publikuar në rrjetin social X, në pronësi të Elon Musk, evropianët po e braktisin masivisht këtë platformë.

Të dhënat më të fundit të publikuara këtë javë nga X – të cilat kompania ishte e detyruar t’i bëjë publike për t’u përputhur me rregulloren kryesore teknologjike të Bashkimit Evropian, Ligjin për Shërbimet Digjitale – tregojnë një rënie të ndjeshme të numrit të përdoruesve në Evropë.

Që nga gushti i vitit të kaluar, platforma ka humbur 11 milionë përdorues evropianë, me largimet më të mëdha të regjistruara në Francë (2,7 milion), Poloni (1,8 milion) dhe Gjermani (1,3 milion).

Aktualisht, platforma ka rreth 95 milionë përdorues në Evropë, nga afërsisht 105 milionë një vit më parë – një rënie prej 10,5 për qind brenda gjashtë muajsh. Lituania dhe Luksemburgu kanë humbur një të katërtën e përdoruesve të tyre, shkruan politico.

Musk, i cili ishte një nga këshilltarët më të zëshëm të presidentit amerikan Donald Trump gjatë 100 ditëve të para të mandatit të tij të dytë, bleu X – atëherë i njohur si Twitter – në vitin 2022. Ndryshimet që ai bëri në rregullat e platformës dhe mbështetja e lëvizjeve politike të djathta nga Shtetet e Bashkuara deri në Evropë kanë shkaktuar kritika për përhapjen e dezinformatave dhe gjuhës së urrejtjes në faqen e internetit.

Qyteti i Parisit e braktisi platformën në janar, duke iu bashkuar një sërë llogarish të tjera që janë larguar pas marrjes së kontrollit nga Musk – nga shkrimtari legjendar Stephen King, te Universiteti i Leeds dhe media të ndryshme, përfshirë gazetën britanike The Guardian.

Komisioni Evropian po heton nëse X po i përmbahet kërkesave të BE-së për të vepruar ndaj përmbajtjes ilegale dhe lajmeve të rreme që nga viti 2023, dhe e ka akuzuar platformën për shkelje të ligjit në korrikun e kaluar, ndonëse ende nuk ka vendosur një ndëshkim të shumëpritur.

Kompania e Muskut për automjete elektrike, Tesla, gjithashtu ka pësuar rënie në Evropë muajt e fundit, me shitjet që ranë me mbi 50 për qind gjatë janarit dhe shkurtit të këtij viti.

 

MARKETING