Globi shënon Ditën e Punës, shprehet revoltë për kushtet aktuale të punëtorëve

Sindikatat për të drejtat e punëtorëve në mbarë botën sot shënojnë 1 Majin, Ditën e Punës, duke përkujtuar luftën historike për të drejtat e punëtorëve, raporton Anadolu.
Në mbarë globin, në marshe protestuese, tubime dhe aktivitete të ngjashme, u shpreh revoltë ndaj kushteve aktuale të punëtorëve, si dhe u kërkuan paga më të larta, kushte më të mira dhe respektimin e të drejtave të punëtorëve.
Protesta për të drejtat e punëtorëve përfshinë edhe Gjermaninë, në kryeqytetin e së cilës qindra njerëz marshuan për të përkujtuar Ditën e Punës. Ata mbanin banderola, këndonin slogane uniteti dhe i binin daulles në mbështetje të të drejtave të punëtoreve dhe drejtësisë sociale.
Në Lyon të Francës, gjithashtu, mijëra njerëz dolën në rrugë, me sindikatat pjesëmarrëse që bënë thirrje për unitet për “paqe, të drejta pensionesh dhe paga”.
Në Indonezi, nga ana tjetër, qindra punëtorë marshuan drejt ndërtesës së parlamentit në qytetin perëndimor Palembang për të shënuar Ditën e Punës. Disa prej tyre, duke lëvizur me motoçikleta që luanin muzikë, si dhe disa të tjerë në këmbë duke mbajtur banderola, së bashku kërkuan ligje të përmirësuara të punës dhe paga të drejta.
Demonstrata, greva dhe tubime priten edhe në qytetet e tjera kryesore të botës, si New York, Columbia, Chicago dhe Seul, ku sindikatat dhe grupet bazë do të mobilizohen rreth thirrjeve për paga të drejta, siguri në punë dhe mbrojtje sociale.
Sipas të dhënave nga sindikatat globale të punëtorëve, më shumë se 3,5 miliardë njerëz në mbarë botën janë pjesë e forcës punëtore. Të dhënat e fundit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) tregojnë se 191 milionë njerëz në mbarë botën janë të papunë, me papunësinë e të rinjve në mënyrë disproporcinale të lartë.
Të dhënat gjithashtu tregojnë se pothuajse 60 për qind e punëtorëve në nivel global janë në ekonominë joformale, duke u munguar siguria e punës, përfitimet ose mbrojtja ligjore.
Organizata ILO gjithashtu ka theksuar se rreth 7,2 për qind e punëtorëve jetojnë në varfëri ekstreme ose të moderuar, duke fituar më pak se 3,65 dollarë në ditë, ndërkohë, në shumë vende në zhvillim punëtorët ende përballen me orë të tepërta pune, shpesh duke tejkaluar 48 orë në javë, ndonjëherë në kushte të pasigurta.
Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, e njohur edhe si Dita e Punës, shënohet më 1 maj në më shumë se 80 vende të botës, edhe pse nuk njihet si festë zyrtare në secilin prej tyre. Kjo ditë nderon kontributet dhe arritjet e punëtorëve.
Dita e Punës i ka rrënjët në luftën e punëtorëve të fundit të shekullit të 19-të, veçanërisht në ngjarjen Haymarket të vitit 1886 në Chicago, ku punëtorët po avokonin për kushte më të mira pune, duke kërkuar një ditë pune tetorëshe.