Dështon përpjekja e nëntë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës ka dështuar për herë të nëntë me radhë.
Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, këtë radhë propozoi që kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, të votohej me votë të fshehtë, pasi kjo sipas tij është e lejuar ligjërisht.
Por kjo është kundërshtuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Nga 110 deputetë të pranishëm në sallë, vetëm 55 vota ishin për këtë mënyrë të votimit, kundër ishte 1 votë, ndërkohë abstenime nuk kishte.
“Ndërpresim seancën, shihemi më 3 maj në orën 10:00”, tha kryesuesi Dehari pas këtij dështimi të radhës.
Deputetët e Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit, të betuar më 19 prill, nuk po i japin mbështetje Haxhiut, të propozuarës nga Lëvizja Vetëvendosje për zgjedhjen si kryetare të Kuvendit të Kosovës.
Gjatë ditës së djeshme, kryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u dërgoi ftesë kreut të PDK-së dhe LDK-së për t’u takuar para kësaj seance për konsultime, por vetëm kreu i PDK-së u përgjigj pozitivisht.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, pas takimit me Kurtin tha se kërkesa e tyre mbetet ndryshimi i emrit të kandidatit për kryeparlamentar dhe nëse këtë nuk e bënë Lëvizja Vetëvendosje, ajo tregon se nuk ka vullnet për të debllokuar situatën e krijuar në Kuvend që nga 15 prilli.
Krasniqi përmendi edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme si “opsion të vërtetë”, por shtoi se ato nuk janë “zgjidhja e parë”.
Ndërkaq, nga LDK-ja, nënkryetarja e kësaj partie, Hykmete Bajrami, pas refuzimit të ftesës së Kurtit, tha se zgjedhja e kryeparlamentarit është çështje e marrëveshjes politike mes partive që synojnë të krijojnë shumicën dhe sipas saj LDK-ja tashmë e ka bërë të qartë se nuk është e interesuar për një marrëveshje të tillë.
Nga 61 vota sa nevojiten për zgjedhjet e kryeparlamentarit, Haxhiu deri më tani ka marrë mbështetjen e jo më shumë se 57 deputetëve, të cilët 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dh