OKB: Uria po përhapet në Gaza mes bllokadës 2-mujore të ndihmës nga Izraeli

OKB: Uria po përhapet në Gaza mes bllokadës 2-mujore të ndihmës nga Izraeli

OKB-ja ka paralajmëruar për problemin në rritje të kequshqyerjes në Rripin e Gazës për shkak të bllokadës pothuajse 2-mujore të ndihmës humanitare nga Izraeli ndaj enklavës palestineze, raporton Anadolu.

“Si rezultat, uria po përhapet në Gaza. Kequshqyerja po thellohet në Gaza, ndërsa të plagosurit dhe pacientët e tjerë mbeten të pa trajtuar në Gaza dhe siç kemi thënë më parë, njerëzit po vdesin”, u tha zëdhënësi Stephane Dujarric gazetarëve.

Programi Botëror i Ushqimit (WFP) njoftoi të premten se ka “zbrazur të gjitha rezervat ushqimore” për familjet në Gaza, pasi kalimet kufitare qëndrojnë të mbyllura që nga 2 marsi, një vendim i marrë nga Izraeli.

Duke cituar Zyrën për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), Dujarric tha se Izraeli, “si fuqi pushtuese, ka detyrime të qarta sipas ligjit ndërkombëtar, të cilat përfshijnë sigurimin e disponueshmërisë së ushqimit, furnizimeve mjekësore, shërbimeve të shëndetit publik dhe lehtësimin e ndihmës humanitare kur ato nuk furnizohen ndryshe”.

Duke iu referuar zhvendosjes së palestinezëve në enklavën e rrethuar, Dujarric tha se kjo mbetet një “shqetësim i madh”.

Ai tha se OCHA ka përfunduar një analizë fillestare të urdhrit të zhvendosjes të lëshuar të enjten nga Izraeli për zonat e Gazës veriore.

“Urdhri mbulon 7.5 kilometra katrorë, që është afërsisht 2 për qind e Rripit të Gazës. Në përgjithësi, rreth 70 për qind e Rripit të Gazës është tani nën urdhra të zhvendosjes ose në zona ‘të ndaluara’, ku autoritetet izraelite kërkojnë që personeli i ndihmës të koordinojë lëvizjet e tyre”, theksoi Dujarric.

Izraeli ka vrarë më shumë se 51.400 palestinezë në enklavë që nga tetori i vitit 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahun dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza. Izraeli gjithashtu përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavë.

MARKETING